Vazhdon misteri i zhdukjes së Ilir Kumbaros në Londër, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare për vdekjen dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.
Policia Metropolitane në Londër thotë për Top-Channel se ende vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e Ilir Kumbaros, pas urdhër-arrestit të lëshuar në datën 1 Dhjetor për kapjen e tij, pasi ai nuk u paraqit në seancën e rradhës në Gjykatën “Uestminster”, për esktradimin në Shqipëri.
Zyrtarët e Policisë Britanike thonë se Njësia e Ekstradimit në Scotland Yard është në kërkim të z.Kumbaro, ndërkohë që në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar janë vënë në dijeni aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar për kapjen e tij në rast se ai tenton të largohet nga Britania.
Ndërkohë djali i Ilir Kumbaros, pas një komunikimi disa ditor përmes email-it thotë për Top-Channel se babai i tij është person i zhdukur.
Ai refuzon të flasë për televizionin tonë edhe pas insistimit për të shpjeguar versionin e familjes për zhdukjen e z.Kumbaro, kur ishte hera e fundit që ata ishin në kontakt me të dhe se cfarë kanë bërë për të ndihmuar autoritetet për gjetjen e babait.
Ndërkohë organizata Missing People ku listohen të gjithë personat e humbur apo të zhdukur në Britani, të kontaktuar nga Top-Channel, konfirmojnë se asnjë person me emrin Ilir Kumbaro nuk është regjistruar në listën e personave të humbur.
Ilir Kumbaro herën e fundit është kontaktuar një ditë përpara seancës së 1 dhjetorit nga avokati i tij, ndërkohë të nesërmen në mëngjes nuk u paraqit në seancën, e cila ishte e para pas vendimit të marrë nga Gjykata Supreme në Tiranë për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Historia “Kumbaro” filloi me vrasjen dhe zhdukjen e një biznesmeni dhe pasohet tani nga zhdukja e personit që kërkohet nga Drejtësia Shqiptare për zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Gjetja eventuale e të zhdukurit Ilir Kumbaro pritet të hedhë dritë mbi zhdukjen e atij për të cilën ai akuzohet.
Top Channel