Julian Lennon:John? Një baba i keq

06/12/2011 00:00

“John? Ka qenë një baba i keq dhe unë nuk po marr dot guximin për t’u
bërë prind për faj të tij”. Dihet që Julian, djali i madh i të ndjerit
John Lennon, në vogëli ka vuajtur nga sindroma e braktisjes.

John braktisi Cynthia-n për Yoko Ono kur Julian ishte vetëm pesë vjeç, madje u përfshi aq shumë në përrallën e re të dashurisë, sa e harroi fare ish-gruan dhe djalin. Gjithçka ndodhi në vitin 1968.

“Babai nuk e kishte idenë se çfarë dreqin po bënte”. Në një intervistë dhënë për “The Telegraph”, Julian, që shumë herë ka tentuar të ndjekë gjurmët artistike të babait, por pa bujë, ka shkuar përtej: “Ai ishte i ri dhe nuk i mendonte gjërat me gjakftohtësi”, thotë Julian.

“Kjo është edhe një prej arsyeve që edhe se sot jam 48 vjeç, nuk kam ende fëmijë. Nuk dua të bëj të njëjtën gjë. Jo, nuk jam ende gati. Në fillim dua të njoh mirë veten, pastaj të marr vendimin e rëndësishëm për t’u bërë baba. Pjesën më të keqe të karakterit tim e kam trashëguar nga babai. Unë bëhem shumë agresiv dhe e di që këtë tipar e kam peshqesh nga ai”.

“Faji” i uiskit

Julian, edhe ai një muzikant, ishte pesë vjeç kur John la Cynthia-n për Yoko Ono në vitin 1968. Kur lindi Julian më 1963-shin, John Lennon ishte në turne. Brian Epstein, menaxheri i grupit “Beatles”, në fillim e fshihte faktin që Lennon ishte i martuar dhe me një fëmijë, në mënyrë që të tërhiqte fanset femra. Në vitin 1971, John Lennon edhe Yoko Ono u transferuan në Nju Jork. Që prej asaj kohe Julian nuk e pa të atin për dy vjet rresht. Më vonë çifti u pajtua, por Julian ishte ende i lënduar kur John dha një intervistë të shkurtër para se të vritej nga Mark Chapman më 1980-n. Nuk mundi ta pranonte dashurinë që babai ia dha të gjithën djalit që solli në jetë me Yoko-n, Sean, të cilit John i kushtonte shumë vëmendje (madje edhe këngë). Atij John i kishte falur më shumë dashuri nga ç’i kishte dhënë Julian-it në 17 vite jetë. Dhimbja më e madhe pastaj ishte deklarata e John në vitin 1980 para se të vdiste: “Julian ishte një fëmijë i paplanifikuar, që erdhi nga një shishe uiski”.
Këndonte gjithmonë për dashurinë

Ishte një hidhërim i madh që e detyroi Julian-in të rrëfente të tilla gjëra. “Babai këndonte për dashurinë, fliste për të me pasion, por mua, që isha i biri, nuk ma ka treguar kurrë”. Mjafton të hidhemi te muzika: “The love you take is equal to the love you make”, pëshpëriste John (së bashku me Paul) në këngën e bukur “The End” të “Abbey Road”. Fjalë që asnjëherë nuk kanë pasur vërtet vlerë për të.

Dhimbja që ende nuk ka kaluar

Julian është shprehur me këto fjalë: “Babai im mund t’i fliste për paqen dhe dashurinë të gjithë botës, por nuk ua ka treguar kurrë personave të tij të dashur, bashkëshortes dhe mua”. Për Julian-in ka qenë shumë e vështirë të dëgjonte “Beatles”: fillimisht e trazonin kujtimet e hidhura që kishte përjetuar, më pas i druhej përballjes konstante të muzikës së tij dhe asaj të të atit, e cila është e pavdekshme. Gjithashtu Julian ka treguar se e kuptonte situatën e babait të tij, sidomos faktin që ai ishte një prind i ri, edhe pse kishte kaluar një fëmijëri të vështirë. John Lennon ndenji 20 vjet pa e parë të atin Alfred dhe u rrit me tezen e tij Mimi, jo me mamanë Julia. Sjelljet e Julian nuk ndryshuan edhe pas vdekjes së të atit. Në disa intervista ai ka thënë se ndihej më afër shokëve të të atit se sa vetë John dhe sa për Yoko-n ajo nuk i pëlqente fare. Ai është marrë me këngë dhe debutimi i tij i parë daton në vitin 1984, ku në atë kohë djaloshi u vlerësua me çmimin “Grammy”. Pas suksesit fillestar u zhduk nga skena. Tani që Lennon është 48 vjeç nuk ka ndryshuar mendim për të atin. Fëmijëria e vështirë e Julian Lennon, e nxiti grupin “Beatles” të prodhonte një prej këngëve të tyre më të famshme. Paul McCartney shkroi “Hey Jude” si një mesazh për Julian kur ai po shkonte për të takuar Cynthia-n, pasi martesa mes saj dhe John kishte marrë fund. Titulli origjinal i këngës ishte “Hey Jules”, por McCartney e ndryshoi dhe e bëri Jude, sepse tingëllonte më mirë gjatë regjistrimit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA