Emigrimi, rritet numri i shqiptarëve në Itali

06/12/2011 08:35

Në fund të vitit 2010, afërsisht 1.1 milionë shqiptarë rezultonin si emigrantë në Bashkimin Europian, sipas një njoftimi të zyrës së BE-së për statistikat, ‘Eurostat’.

Shqiptarët janë grupi i tretë më i madh i të huajve në BE pas turqve dhe marokenëve, pavarësisht se është një vend me popullatë shumë të vogël. Sipas këtyre të dhënave, shqiptarët në Itali janë aktualisht 467 mijë vetë dhe përbëjnë 11 për qind të popullatës së huaj në këtë vend.

Të dhëna të detajuara për Greqinë nuk ka. Shqiptarët rezultojnë një rast unik në botën e sotme për sa i përket numrit të emigrantëve në raport me popullatën.

Formalisht në regjistrat e gjendjes civile popullata e Shqipërisë rezulton 4.4 milionë vetë, por nga këta, 1.1 milionë rezulton se jetojnë në mënyrë të rregullt në Europë dhe disa qindra-mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme në Europë apo kanë emigruar përtej Atlantikut.

Afërsisht 2 për qind e popullatës rezulton se është larguar çdo vit nga Shqipëria gjatë dy dekadave të fundit. Valët më të mëdha migratore të botës njihen ato të Britanisë së Madhe dhe Irlandës gjatë shekujve të 18 dhe 19, kur më pak se 1 për qind e popullatës largohej çdo vit drejt botës së re.

Afërsia gjeografike me vendet e pasura të Bashkimit Europian si dhe mosha mesatare shumë e re mes shqiptarëve vlerësohen si shkaqet kryesore të këtij emigrimi masiv.

Të dhënat e “Eurostat” për vitin 2010 hedhin gjithashtu poshtë idenë se një pjesë e emigrantëve shqiptarë po kthehen në atdhe për shkak të krizës në Greqi.

Ka më shumë gjasa që emigrantët po zhvendosen nga Greqia drejt vendeve të tjera të Europës që janë goditur më pak nga kriza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA