Numri i familjeve shqiptare që përfitojnë ndihmë ekonomike arriti në 102 mijë vetë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, nga 97 mijë që qe në të njëjtën periudhë të vitit 2010, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave.
Numri i familjeve të varfra u rrit në këtë mënyrë me 5 për qind. Në Shqipëri ka aktualisht rreth 830 mijë familje dhe 12 për qind e tyre janë në skemën e ndihmës ekonomike.
Qeveria u jep këtyre familjeve një ndihmë në para që varion nga 2 mijë në 4 mijë lekë për familje në muaj.
Numri i familjeve në nevojë u ul në 94 mijë deri në vitin 2008, kur u regjistrua edhe pika më e ulët dhe filloi të rritej si pasojë e krizës ekonomike.
Buxheti i shtetit ka përjetuar tejkalime të shpenzimeve të programuara për ndihmën ekonomike rregullisht gjatë tre viteve të fundit.
Kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e refuzimit të qeverisë për të pranuar realitetin ekonomik të vendit dhe për të programuar shpenzimet në përshtatje me këtë realitet.
Top Channel