Një parti e qendrës së majtë befasoi të gjithë sondazhet, duke u renditur kundër të gjitha gjasave si forca më e votuar në Slloveni, vend ku të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Rezultati u publikua të hënën nga Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve. “Sllovenia Pozitive” e Zoran Jankovic, kryebashkiak i Ljubjanës, ka arritur të grumbullojë 29,5% të votave, përballë 25,9% të partisë së ish-kryeministrit Janez Jansa, që pritej të ngjitej në pushtet.

Në vendin e tretë dhe shumë zhgënjyes rezultati i partisë që qeverisi në mandatin e fundit, ajo e Kryeministrit Borut Pahor, në gjendje që të grumbullonte vetëm 10,3% të votave. Qeveria e tij pësoi një rënie të madhe në sondazhe kur lajmëroi disa muaj më parë për planin e rritjes së moshës së pensionit.

Ky rezultat e shndërron Slloveninë në vendin e radhës të Eurozonës që ndryshon qeverinë në brenda pak muaj, pas Greqisë, Italisë, Spanjës, Irlandës dhe Portugalisë.

58-vjeçari Jankovic, ish-drejtuesi i rrjetit kryesor të supermarketeve në Slloveni, “Mercator”, mbante detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Ljubjanës që prej vitit 2006. Gjerësisht i konsideruar si figura politike më popullore në Slloveni, Jankovic fitoi një mandat të dytë në krye të bashkisë në vitin 2010, duke u zgjedhur me 65% të votave.

Top Channel