Koalicioni i qendrës së majtë është fitues i zgjedhjeve në Kroaci, tregojnë rezultatet e zgjedhjeve, pas numërimit të më shumë se 70% të votave.

Pritet që koalicioni i “Kukurikut” të fitojë 78 vende në parlamentin prej 151 antarësh. Partia që drejtoi vendin në katër vitet e fundit dhe Kryeministrja Kosur pritet të përjetojnë zhgënjimin më të madh në historinë e konservatorëve të HDZ-së, me grumbullimin e vetëm 48 vendeve.

Humbja e bllokut qeverisës ishte parashikuar nga të gjitha sondazhet paraprake, ndërsa zgjedhjet u mbajtën në një klimë të rënies ekonomike dhe disa skandaleve të korrupsionit që përfshinë antarë të kabinetit.

”Nuk do t’iu zhgënjejmë, do ta shikoni”, premtoi lideri i “Kukurikut”, Zoran Milanoviç, ndërsa e cilësoi si tashmë “të sigurt” fitoren e tij. “Nuk mund të premtojmë që nuk do të bëjmë gabime, por ju sigurojmë se s’do të bëjmë gabimet e të shkuarës. Kroatët meritojnë një të ardhme shumë më të mirë dhe nuk do të ketë asnjë justifikim nëse nuk do të shpërblejmë besimin e tyre”.

Qeveria e ardhshme kroate do të ketë një detyrë historike, duke qenë se do të jetë edhe e para që do të udhëheqë vendin në Bashkimin Europian, pasi Kroacia të antarësohet në 2013-n.

Sipas Milanoviç, objektivi kryesor për Zagrebin duhet të jetë shmangia e zhvlerësimit të normës së kreditimit dhe nxitja e rritjes ekonomike. Ai e konsideroi një hua të madhe nga Bashkimi Europian si “zgjedhjen e fundit”, por një opsion që duhet marrë parasysh.

Kroaci, asnjë shqiptar në parlamentin e ri

Pavarësisht përpjekjeve të shumta, duket se në Parlamentin e ri kroat që del nga zgjedhjet e së dielës nuk do të ketë asnjë përfaqësues shqiptar.

Kështu bën të ditur agjencia e lajmeve “INA”, që u referohet rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Kroaci.

Shqiptarët garuan në këtë proces elektoral me katër kandidatura në njësinë zgjedhore numër 12, në listën e pakicave, por asnjë prej tyre nuk u kualifikua.

Ata ishin: Pashk Kacinari dhe Ermira Lekaj Përlaskaj, nga Unioni i Bashkësisë së Shqiptarëve; Xhelal Maliqi nga Nacional-Demokratët; si dhe Nikollë Prekpalaj nga Bashkësia e Shqiptarëve në Zarë.

Në bazë të rezultateve paraprake, shton më tej burimi, nga minoritetet fitues ka dalë vetëm kandidati i pakicësh boshnjake, Nexhad Hoxhic.

Top Channel