Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se marrëveshjet që arrihen me Serbinë duhet të jenë të bazuara në ligjet e Kosovës.

Krasniqi është shprehur se në institucionin e tij nuk ka mbërritur ende një kërkesë me shkrim për mbajtjen e një seance të posacme për diskutimin e paktit për menaxhimin e integruar të kufijve.

Megjithatë, ai ka theksuar se marrëveshja në fjalë është tërësisht e bazuar në një ligj të miratuar më parë nga Kuvendi.

“Nëse kjo marrëveshje është në përputhje me ligjin që kemi, atëherë nuk ka nevojë të sillet në Kuvend, pasi është cështje e ekzekutivit”, ka deklaruar Krasniqi.

Delegacioni kosovar dhe ai serb arritën më 2 dhjetor në Bruksel marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, që parashikon dhe zhbllokimin e situatës në veri.

Ditën e shtunë, më 3 dhjetor, qeveria e Kosovës bëri publike përfundimet e arritura me Serbinë gjatë së premtes mbrëma në Bruksel, pas bisedimeve që zgjatën tre ditë.

Qeveria kosovare e përshëndeti marrëveshjen duke thënë se me nënshkrimin e saj, Serbia në një farë mënyre ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë që subjektet politike opozitare e kundërshtuan atë fuqishëm, pasi sipas tyre pakti tregon se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka kufij shtetëror.

Top Channel