" /> ">

Gjermania deklaron se Mali i Zi “ndoshta” do të fillojë negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian në mes të vitit 2012.

“Ndoshta do të ketë më shumë ose më pak konsensus rreth Malit të Zi, ku ne synojmë të fillojmë negociatat në mënyrë aktive”, tha ministri gjerman për çështje të Bashkimit Evropian, Verner Hojer, përpara një takimi në Bruksel me homologët e BE-së.
 
Bisedimet, sipas Evropës së Lirë, do të “fillojnë me siguri në mesin e vitit të ardhshëm” dhe të merren së pari me korrupsionin, krimin e organizuar dhe çështjet gjyqësore “në mënyrë që të mos ketë surpriza në fund të negociatave”, tha Hojer.

Ministrat e BE-së po takohen për të përgatitur vendimet që pritet të merren në samitin e së premtes të Bashkimit Evropian.

Serbia shpreson të shpërblehet, pas arritjes së një marrëveshjeje për menaxhimin e integruar të kufirit me Kosovën të premten, në përputhje me kërkesën e bllokut për të përmirësuar marrëdhëniet me ish krahinën e vet.
 
“Ne kemi nevojë të zgjidhim atë që është rënë dakord ndërmjet Serbisë dhe Kosovës gjatë këtyre ditëve të fundit, nuk ka qartësi të mjaftueshme ende, ne shpresojmë se do të marrim atë qartësi sot”, tha Hojer.
 
Gjermania javën e kaluar doli si kundërshtare e fortë për përparimin e Serbisë në BE, pasi ishte indinjuar nga sulmet ndaj ushtarëve gjermanë dhe austriakë të NATO-s nga serbët në veri të Kosovës.

Megjithatë ai ka thënë se Gjermania dëshiron që të mbajë përspektivën evropiane të Serbisë “të gjallë dhe të besueshme”.

Top Channel