Këshilli për Çështjet e Përgjithshme që po zhvillohet në Bruksel pritet të finalizojë konkluzionet e Samitit Europian për Ballkanin, bazuar në rekomandimet e Tetorit të Komisionit Europian.

Për Shqipërinë, nuk ka shumë surpriza, sepse pavarësisht zhvillimeve të fundit politike pozitive, Komisioni “nuk ishte në gjëndje të rekomandonte” dhënien e statusit kandidat në BE, meqënëse vendi nuk kishte përparuar sic duhej mbi 12 kushtet e përcaktuara.

Por, i njëjti vlerësim i Komisionit njihte progresin e Serbisë dhe Malit të Zi,  dy vendet që mbizotërojnë debatet e takimit nga Këshilli, pasi shqyrtohet mundësia e kalimit në fazën tjetër respektive drejt anëtarësimit të këtyre dy vendeve në BE.

“Ka mundësi që të ketë konsensus për Malin e Zi. Për Serbinë, kushtet janë të qarta që në fillim, kriteret e Kopenhagenit, në mes të tjerash thonë se një vend që dëshiron t’i bashkangjitet BE-së duhet të qartësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj. Javën e kaluar patëm një suprizë të pakëndëshme në kufirin e Kosovës me Serbinë ku një numër i madh ushtarësh gjermanë dhe austriakë u plagosën. Kjo gjë është e papranueshme dhe do të luajë rol pasi neve na nevojiten garanci që Serbia do të jetë e aftë dhe e gatshme të rregullojë marrëdhëniet e saj të fqinjësisë”, thotë ?erner Hoyer, Ministri gjerman i Shtetit për Çështjet e Jashtme.

Këtë qëndrim të gjermanëve, përveç Austrisë, e mbështesin edhe disa vende të tjera, si përshembull Finlanda.

“Finlanda është shumë pro-zgjerimit. Për sa kohë përmbushen kriteret, ne e mbështesim zgjerimin. Ka sigurisht disa çështje të pazgjidhura që po draftohen, e që lidhen me bashkëpunimin me Kosovën, por përveç kësaj ne jemi në kampin e dritës jeshile”, deklaron Alexander Stubb, Ministri finlandez për Çështjet Europiane.

Para diskutimeve për zgjerimin me Ballkanin, të cilat parashikohen të zhvillohen gjatë një darke të gjatë pune, presidenca polake deklaroi se marrëveshja mes serbëve dhe kosovarëve erdhi me vonesë.

“A do të jetë e mjaftueshme? Na mbetet ta shohim se si do ta vlerësojë Këshilli. Ky gjest është i nevojshëm megjithëse është pak si vonë dhe do duhej të kishte ndodhur më herët. Dua t’ju them se presidenca polake i ka tërhequr Serbisë vëmendjen se duhet të tregojë vullnet të mirë për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën si dhe për negociatat e ardhshme me Kosovën”, u shpreh Nikolaj Dovglielevicz, Sekretari polak i Shtetit për Çështjet Europiane.

Konkluzionet e Këshillit për vendet e Ballkanit do t’i përcillen për miratim samitit europian që zhvillohet këtë fundjavë në Bruksel. Komisioni ka rekomanduar dhënien e statusit kandidat për Serbinë, çeljen e negociatave për anëtarësim me Malin ë Zi dhe IRJM, si dhe nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA