Artisti i Popullit, Luftar Paja ka mbushur 70 vjec dhe në këtë përvjetor, artistë, miq, të afërm e kolegë i kanë rezervuar një pritje në hollin e Teatrit të Fierit.

Pikërisht në këtë skenë, Luftar Paja ka luajtur me dhjetëra role që e kanë bërë atë të dashur për publikun.

Djali i tij, Gazmend Paja prej kohësh në trupën e “Portokallisë” nuk e ka shmangur humorin, ndërsa i uron të atit ditëlindjen.

Për regjisorin dhe aktorin Mevlan Shanaj është e vështirë të gjejë celësin e suksesit të Luftar Pajës.

Qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Kontribut të madh në formimin e tij si aktor ka dhënë regjisori Llazar Vërria dhe vecanërisht aktori dhe regjisori i talentuar, Pellumb Kulla.

Luftari është nderuar me medalje të cmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore, është nderuar me medaljen Naim Frasheri e klasit të parë.

Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier.

Luan në teatër në dramën “Hijet e natës”, “Fejesa e Cehovit” etj. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja janë: “Cobo Rrapushi me shokë” në rolin e Cobos. Në vitin 1979 merr titullin Artist i Merituar. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistikë, ku ka spikatur me role në filma patriotik si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Ëndrra për një karrige”, “Zëvendësi i grave” etj.

Ai ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj shqiptarë, si Roland Trebicka, Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Hajrie Rondo, Kadri Roshi etj.

Në vitin 1990 merr titullin e lartë Artist i Popullit. Në vitin 2001 është shpallur qytetar nderi i Fierit. Luftari është sot më i kërkuari nga gjithë regjisorët. Në 31 maj të vitit 2005 atij i jepet titulli Nder i Qarkut Fier bashkë me 11 figura të tjera të qarkut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA