Veriu, dështon takimi KFOR-Ristic

02/12/2011 17:10

Kryetari i komunës paralele të Zubin Potokut, Sllavisha Ristic nuk ka rënë dakord me përfaqësuesit e KFOR-it për zhbllokimin e situatës në veri të Kosovës.

Sipas “RTK”, Ristic është shprehur dakord që situata të zgjidhet në rrugë paqësore, por për këtë ai ka kërkuar largimin e trupave të KFOR-it nga zona, si dhe distancimin e tyre nga reagimet e dhunshme.

Konkretisht, Ristic ka kërkuar largimin e ushtarëve të KFOR-it nga rruga në fshatin Jagnjenicë në drejtim të Zvecanit, ndërsa përfaqësuesit e misionit të NATO-s kanë kërkuar ngritjen e një pike ushtarake në zonën ku të hënën u shpërthye barrikada.

Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, mësohet se krerët e komunave paralele në veri të Kosovës po shqyrtojnë mundësinë për të hedhur në votë apelin e presidentit serb Boris Tadic, për heqjen e barrikadave.

Ditën e enjte, katër kryetarët u shprehën të zhgënjyer nga thirrja që kishte bërë Tadic, me argumentin se mbajtja e barrikadave bie ndesh me interesat e Serbisë.

Situata në veri të Kosovës nuk ka ndryshuar. Sipas zëdhënësit të policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, situata është e qetë por e tensionuar.

Banorët e komunitetit serb vazhdojnë të mbikëqyrin 19 barrikadat e vendosura në rrugët publike që të cojnë në drejtim të pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut.

Top Channel