Më 2 dhjetor, këngëtarja e muzikës pop, Britney Spears mbush plot 30 vjec. Po, po 30 vjec dhe miliona disqe të shitura, dhe dhjetra skandale që mbushën faqet e revistave rozë për vite me radhë.
E lindur në 2 dhjetor të vitit 1981 në Misisipi, Britney që në fëmijëri u përshtat me botën televizive dhe spektaklin duke marrë pjesë në një sërë programesh për fëmijë në televizionet vendase.
Me kalimin e viteve do të rritej pasioni i saj për këngën, për të ardhur tek boom-i në vitet 1998-2000 me nxjerrjen e dy albumeve, “Baby One More Time” dhe “Ooops!…I did it again”. Albumet pushtojnë majat e klasifikimeve muzikore në SHBA, Europë e mbarë botën. Këngëtarja shet miliona disqe duke bërë që disa ta shikonin si yllin në ngjitje që do të zëvendësonte Madonna-n.
Por, dicka shkoi gabim. Britney shpejt u përfshi në skandale të njëpasnjëshme. Martesa “e pavetëdijshme” më 3 janar të 2004-s me mikun e saj të fëmijërisë, Jason Allen Alexander në Las Vegas, martesë që do të shkurorëzohej vetëm 55 orë më vonë, do të ishte pikënisja e skandaleve të Britney-t, skandale që do të rrënonin karrierën e saj.
Në korrik, po të 2004-s, ajo martohet me balerinin Kevin Federline me të cilin do të lindë dy fëmijët, Sean dhe Jayden. Në 2006 pozon nudo për revistën “Harper’s Bazaar”. Nga shumë persona fotoja e kopertinës u krahasua me atë të Demi Moore të vitit 1991 për “Vanity Fair”. Pak muaj më vonë, Britney do të kërkonte divorcin nga Federline, “për shkak të dallimeve të mëdha e kontradiktore” që kishte me bashkëshortin e saj. Në korrik të 2007 cifti u nda zyrtarisht dhe pas një betejë të gjatë në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve, ata ranë dakort për t’u kujdesur për ta në periudha kohore të barabartë.
Alkooli, koka e qethur zero, veshjet skandaloze e fotot intime, do të ishin skandalet radhës që pasuan jetën e këngëtares, për të ardhur në vitin 2009 tek përpjekjet për të rilindur, duke hequr dorë nga “shoqëria e keqe”. Pavarësisht gjithë këtyre, ajo mbetet një nga këngetaret që do të mbahet mend gjatë për thyerjen e rregullave në muzikë, dhe jo vetëm.
Top Channel