Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbajtur të pandryshuar qëndrimin
ndaj marrjes së statusit të vendit kandidat për Serbinë, edhe pse shumë
nga vendet evropiane, parapëlqejnë që shtetit serb t’ia japin një status
të tillë.

Në një paraqitje para Bundestagut gjerman kancelarja Merkel ka deklaruar se e vetmja rrugë e Serbisë drejt BE-së mund të jetë nëpërmjet normalizimit të raporteve me Kosovën.

Merkel, bën me dije Kosovatimes, e ka bërë të qartë se Serbia nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë një vend kandidat për BE, ndërsa  diplomatë evropianë, këto fjalë të kancelares para parlamentarëve gjermanë i kanë komentuar si një paralajmërim se Serbia do ta ketë thuajse të pamundur për ta marrë statusin e dëshiruar, gjatë samitit të BE-së që do të mbahet javën tjetër.

Gjermania, kështu po e shuan ëndrrën politike të Serbisë të përmbledhur me fjalët “edhe BE-ja, edhe Kosova”.

BE: Jo status për Serbinë

Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën në një marrvëshje mbi dhënien e statusit kandidat ndaj Serbisë. Ndjeshmëritë pro dhe kundër shoqëruan debatin e vendeve anëtare gjatë mbledhjes, sipas Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, e cila tregoi gjatë konferencës për shtyp se cfarë pret Brukseli nga Beogradi.

“Të sigurohet se nga Beogradi pë bëhet presion maksimal ndaj atyre që po kryejnë dhunë dhe të garantojnë që barrierat janë hequr. Jam e bindur që vendet anëtare kur të diskutojnë në Këshillin e Ministrave të Përgjithshëm të BE-së do të egzaminojnë se cfarë është bërë e cfarë është thënë, gjatë debatit të tyre mbi të ardhmen”, tha Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE.

Gjermania dhe Austria duket se rreshtohen ndër vendet kryesore që nuk e mbështesin kandiaturën e Serbisë, meqënëse gjatë dhunës së të hënës në veri të Kosovës e pësuan dhe ushtarët e këtyre dy vendeve.

Ndërkohë që shtetet europiane në favor të Serbisë shpresojnë në rezultatet e raundit të 8 të bisedimeve me Kosovën. Pas negociatave maratonë të një dite më parë, bisedimet mes kryenegociatorëve Tahiri e Stefanovic, me ndërmjetësimin e BE-së, vazhdojnë ende që prej mëngjesit të sotëm, por nuk pati ndonjë rezultat konkret deri në mbrëmje.

Top Channel