Gjin Marku, numri 1 i Komitetit mbarëkombëtar të pajtimit të gjaqeve, dhe Pashko Popaj, anëtar i Shoqatës së misionarëve të paqes dhe pajtimit të gjaqeve të Shqipërise në Malësinë e Madhe, janë dërguar nga Policia e Shtetit për ndjekje penale në prokurori.
Gjatë një njoftimi për mediat policia deklaroi se, këta shtetas dyshohen se duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat e pajtimit të gjaqeve kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për disa shtetas, me qëllim kërkimin e azilit në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Drejtoria kundër krimit financiar dhe ajo kundër krimeve të rënda gjatë shkëmbimit në rrugë operative të informacioneve me policitë homologe, kanë siguruar informacion të nevojshëm se janë lëshuar prej tyre vërtetime të falsifikuara për persona që nuk figurojnë të jenë të përfshirë në histori hasmërie apo gjakmarrjeje.
Për policinë, të dy misionarët akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të “falsifikimit të dokumentave”. Referimi i cështjes nga policia në prokurori vjen pas dy akuzave të mëparshme të ngritura prej saj për kreun e bashkisë së Malësisë së Madhe, si edhe kryekomunarin e Postribes.
Kërkesat e shumta për azil në vendet e BE-së e kanë vënë në diskutim kohët e fundit cështjen e liberalizimit të vizave për vendin. Muajin e kaluar vetë Brukseli ngriti zërin dhe Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian mbështeti me shumicë votash propozimin e Komisionit për të ndryshuar rregulloren e vizave.
Edhe Komisioni për çështjet e Sigurisë, Lirisë dhe Drejtesisë në Parlamentin Europian shqyrtoi propozimin e Komisionit për vendosjen e një mekanizmi sigurie për të rikthyer regjimin e vizave në rast se vendet anëtare ankohen për shfrytëzim të procesit liberalizues nga nje vend i tretë, jashtë BE-së.
Gjithashtu pak kohë më parë në Tiranë, shefi i departamentit të emigracionit të Mbretërisë së Belgjikës dha alarmin në Shqipëri për një fluks të paparishikueshëm kërkesash në shtator dhe tetor.
Top Channel