Shqiptarët e Kroacisë mund të kenë një deputet në Kuvendin e vendit.

Pakicat e kanë të garantuar vendin me kushtetutë dhe në garë janë pesë kandidatë, nga të cilët dy janë tërhequr dhe kanë mbetur vetëm tre.

Kandidate konsensuale e shqiptarëve dhe organizatave është juristja Emine Lekaj Përlaskaj, e propozuar nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Kroaci. Kandidatët e tjerë shqiptarë janë tërhequr, për vendin që do të përfaqësojë interesat e minorancave sllovene, boshnjake, malazeze dhe maqedonase.

Deri tani, vendin e deputetit e kanë fituar gjithnjë boshnjakët. Zgjedhjet kroate, që do të mbahen të dielën për Kuvendin Qëndror, kanë një rëndësi të posaçme për këtë vend, pasi do të zgjedhin edhe qeverinë e parë kroate të integrimit në Bashkimin Europian, i parashikuar të ndodhë në vitin e ardhshëm

Parashikimet tregojnë se koalicioni i quajtur “Kukuriku”, bashkimi i social-demokratëve, nga radhët e të cilëve është edhe presidenti Ivo Josipoviç, ka gjasa të fitoj 85 nga 140 vendet në Kuvend.

Partia konservatore e Kryeministres Jadranka Kosor, sipas të gjitha gjasave do të pësojë rënien më të madhe të popullaritetit në historinë e partisë. Në vitet e fundit, ajo është përballur me shumë akuza për korrupsion. Kandidati kryesor për t’u bërë Kreministri i ri i Kroacisë është lideri i social-demokratëve, Zoran Milanoviç.

Top Channel