Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën në një marrvëshje mbi dhënien e statusit kandidat ndaj Serbisë. Ndjeshmëritë pro dhe kundër shoqëruan debatin e vendeve anëtare gjatë mbledhjes, sipas Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, e cila tregoi gjatë konferencës për shtyp se cfarë pret Brukseli nga Beogradi.

“Të sigurohet se nga Beogradi pë bëhet presion maksimal ndaj atyre që po kryejnë dhunë dhe të garantojnë që barrierat janë hequr. Jam e bindur që vendet anëtare kur të diskutojnë në Këshillin e Ministrave të Përgjithshëm të BE-së do të egzaminojnë se cfarë është bërë e cfarë është thënë, gjatë debatit të tyre mbi të ardhmen”, tha Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e BE.

Gjermania dhe Austria duket se rreshtohen ndër vendet kryesore që nuk e mbështesin kandiaturën e Serbisë, meqënëse gjatë dhunës së të hënës në veri të Kosovës e pësuan dhe ushtarët e këtyre dy vendeve.

Ndërkohë që shtetet europiane në favor të Serbisë shpresojnë në rezultatet e raundit të 8 të bisedimeve me Kosovën. Pas negociatave maratonë të një dite më parë, bisedimet mes kryenegociatorëve Tahiri e Stefanovic, me ndërmjetësimin e BE-së, vazhdojnë ende që prej mëngjesit të sotëm, por nuk pati ndonjë rezultat konkret deri në mbrëmje.

Kjo është hera e parë që bisedimet mes palëve zgjasin kaq gjatë, e madje flitet se ato mund të vijojnë dhe nesër paradite, pasi delegacioni serb ka shtyrë fluturimin për Beograd.

Ky raund konsiderohet si shansi i fundit për ta në arritjen e marrëveshjes me përfaqësuesit kosovarë, në mënyrë që të hënën Ministrat e BE-së të mund të përfshijnë në konkluzionet e tyre dhënien e statusit kandidat ndaj Serbisë.
 
Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel