Turqia shpall një paketë sanksionesh ndaj Sirisë

30/11/2011 15:25

Turqia lajmëroi për vendosjen e një tërësie sanksionesh financiare dhe ekonomike mbi Sirinë, për shkak të shtypjes së dhunshme disa-mujore të protestave anti-qeveritare.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davotuglu, deklaroi gjatë të mërkurës se regjimit të Bashar al-Assadit i ka ardhur fundi.

Liga Arabe shpalli sanksione të ngjashme
gjatë të dielës. Përpara kësaj, Siria ishte përjashtuar nga organizmi për shkak të ngjarjeve të dhunshme që po ndodhin në vend.

Emiratet e Bashkuara Arabe lajmëruan gjatë ditës se fluturimet nga Dubai dhe Abu Dabi drejt Sirisë, do të ndërpriten duke nisur nga java e ardhshme. Kjo është një goditje e rëndë për Damaskun, pasi dy kompanitë e mëdha emiratase, “Etihad” dhe “Emirates” mbulonin pjesën më të madhe të trafikut për në Siri.


Sanksionet e vendosura nga Ankaraja
synojnë të godasin kryesisht qeverinë. Davotoglu lajmëroi një “listë të zezë”, të zyrtarëve që ndalohet të hyjnë në Turqi, për shkak të përfshirjes në revolta. Gjithashtu, ndërpriten marrëdhëniet dhe nuk mund të hyjnë në vend as disa biznesmenë të mëdhenj, edhe ata të lidhur me Assadin.

Ashtu siç ka vepruar Britania më parë, marrëdhëniet ekonomike janë ndërprerë dhe asetet janë ngrirë. Gjatë javës së shkuar, një autobuz me pelegrinë turq, në kthim nga Meka, u godit me breshëri kallashnikovi duke përshkruar territorin sirian, ngjarje në të cilën u plagosën disa shtetas. Incidenti solli një kundërpërgjigje shumë të ashpër të Kryeministrit Erdogan.

OKB vlerëson se më shumë se 3 500 persona kanë vdekur në Siri në përballjet me autoritetet që prej fillimit të revoltave në muajin mars. Shtypja e dhunshme është konsideruar si një “krim kundër njerëzimit” në një raport të organizmit që përfaqëson të gjithë shtetasit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA