Serbët nuk heqin barrikadat

30/11/2011 21:00

Me gjithë thirrjet dhe paralajmërimet për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, serbët tregohen të vendosur.

Pas disa takimeve ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe zyrtarëve të KFOR-it nuk është arritur asnjë marrëveshje për lirimin e rrugëve.

Sipas burimeve policore, situata nuk ka ndryshuar, ndërkohë që afër Jegenicës, ku të martën u plagosën rreth 25 ushtarë të KFOR-it, dy prej tyre me armë zjarri, të dyja palët kanë mbetur në pozicione të njëjta.

Madje, burime policore thonë se, serbët gjatë natës kanë ngritur një barrikadë të re afër asaj që ishte në Jegenicë, të cilën KFOR-i e kishte larguar dy ditë më parë.

Ndërkohë, mësohet se gjatë natës të së martës është përforcuar me beton edhe barrikada te Kërshi i Dudës, në afërsi të Zveçanit.

Gjermania dhe Austria: Jo dhunës në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë, Ernest Reiqel dhe ai i Austrisë Johan Briger, vizituan ushtarët e lënduar gjermanë dhe austriakë të KFOR-it në spitalin në bazën e KFOR-it në Prizren.

Dy prej tyre kishin pësuar lëndime nga armë të zjarrit, ndërsa të tjerët kanë marrë lëndime të rënda nga mjetet shpërthyese.

Të dy ambasadorët dënuan fuqishëm dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe shprehën shqetësimin e tyre për intensitetin e saj, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ata i kanë bërë thirrje popullit në veri të Kosovës, që mos të lejojnë të keqpërdoren nga kryesit e dhunës për qëllimet e tyre dhe që ta respektojnë mandatin e KFOR-it për të siguruar lirinë e lëvizjes.

Top Channel