Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala mund të jetë kandidati i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, i cili në një intervistë për “KTV” ka deklaruar se Shala është një kandidat potencial.

Megjithatë, Haradinaj nuk ka dhënë detaje të tjera se cilat do të jenë veprimet e AAK-së dhe koalicionet e mundshme të saj me partitë e tjera nëse presidencialet mbahen vitin e ardhshëm.

Në Kosovë, mes partive politike vazhdojnë debatet lidhur me kohën kur duhet të zgjidhet kryetari i ri i shtetit, pas zgjedhjes konsensuale të presidentes Atifete Jahjaga.

Subjektet opozitare kërkojnë që procesi të mbahet vitin e ardhshëm, ndërsa PDK-ja dhe aleatët e saj në pushtet preferojnë vitin 2013.

Më herët gjatë muajit, në një takim me simpatizantët e partisë së tij në Drenas, kryeministri i Kosovës Hashim Thaci aktualizoi temën e zgjedhjeve presidenciale.

Duke folur për këtë cështje numri një i qeverisë shfaqi dëshirën e tij që presidencialet të mbahen në vitin 2013 bashkë me zgjedhjet parlamentare.

Rreth dy javë më parë, paneli i ekspertëve kosovarë që po bën ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe cështjeve të tjera njoftoi se procesi është drejt përfundimit.

Ndërsa e përditshmja kosovare “Koha Ditore” shkruante në një numër të mëhershëm se partitë e mëdha në Kosovë duan të përshtasin modelin shqiptar mbi presidentin, i cili me ndryshimet kushtetuese pritet të ketë shumë pak autoritet.

Top Channel