Pakistan, bllokohet BBC e disa kanale të tjera

29/11/2011 20:55

Autoritetet pakistaneze kanë urdhëruar bllokimin e kanalit ndërkombëtar të BBC-së në vend, lajmëroi Agjensia Britanike e Lajmeve gjatë së martës.

Shërbimi satelitor dhe ai në internet do të censurohen. Lëvizja vjen pas transmetimit të një dokumentari të titulliar “Sekretet e Pakistanit”. Kanalet e tjera të huaja, “fajtore” se transmetuan dokumentarin ose do ta bëjnë këtë në të ardhmen, do të pësojnë edhe ato të njëjtin fat, paralajmëruan autoritetet.

BBC e cilësoi veten si “thellësisht” të shqetësuar nga kjo lëvizje dhe thirri që transmetimi i saj të rifillojë menjëherë. “Dënojmë në mënyrën më të ashpër çdo gjest të këtij lloji dhe kërkojmë rivendosjen e shërbimit tonë në mënyrë të menjëhershme”, deklaroi një zëdhënës i BBC-së.

Dokumentari me dy seri vendoste në dyshim vendosmërinë e autoriteteve për të luftuar me të vërtetë lëvizjen e talebanëve në vend. Sipas dokumentarit, disa zyrtarë të lartë të vendit janë duke bërë një lojë të dyfishtë, duke pretenduar se po luftojnë terrorizmin, ndërsa në të vërtetë nuk janë duke e bërë diçka të tillë.

Vendimi për të bllokuar “BBC World News” dhe disa kanale të tjerë ndërkombëtarë vjen disa ditë pasi 24 ushtarë u vranë në Pakistan pas një sulmi të gabuar të NATO-s, ngjarje që ka tensionuar marrëdhëniet midis perëndimit dhe Islamabadit zyrtar në një kulm historik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA