Natasha Lako – Sikur të mos udhëtoja drejt Nju Jorkut në të enjten e fundit të këtij
nëntori, nuk do të kisha krijuar asnjë lidhje mes Ditës amerikane të
Thanksgiving ose të Falënderimeve dhe Ditës shqiptare të Flamurit, që
festohet katër-pesë ditë më vonë.

E ndërsa kapërceja Atlantikun dhe dëgjoja urimet e kapitenit të avionit, festat mbeteshin ende larg. Isha me fat që kisha marrë një udhëtim pa natë brenda dhe do të arrija po brenda ditës në kontinentin tjetër. Do të ulesha edhe unë në tavolinën e thanskgiving, një nga festat më shoqërore dhe më të hapura të qytetërimit të sotëm…

Ishte ndoshta kjo atmosferë falënderimesh që më bëri të mendoj se si janë bërë realitet disa forca të imagjinatës, që nga qilimat fluturues, deri te pasqyrat ku njeriu sheh njeriun tjetër dhe që sot rëndom të çojnë të komunikosh me “Skype”. Si bëjnë të gjithë shqiptarët të shpërndarë kudo, por që gjithnjë e më tepër gjejnë vështirësi e hakërrime të pakuptueshme për të festuar së bashku 28 Nëntorin.

Por në vend që të mendoja për grindjet e pareshtura shqiptare, vendosa t’i bashkohem ngazëllimit njerëzor dhe fruteve të përbashkëta të të mirave të shpikjeve dhe të komunikimit, të cilat kanë filluar në lindjen e moçme dhe vazhdojnë të kurorëzohen në perëndim. Për herë të parë, mendova gati fëmijërisht se në sajë të shpikjes së avionit, më në fund janë bërë edhe dy ditë bashkë, një shprehje kjo që është krijuar për të vulosur pamundësitë e mëdha.

Po është e vërtetë se i sheh dy ditë bashkë kur udhëton nga fillimi i një dite dhe kur nata nuk ndërhyn në mes, mes një kontinenti dhe një kontinenti tjetër.

Kjo duket si diçka metaforike, por lind nga një sukses i vogël, që arrin të ulesh në një tryezë feste, vetëm e vetëm se ka rastisur të gjesh një orar të mirë udhëtimi.

Por le ta lëmë mënjanë këtë vijueshmëri reale a metaforike dhe le të kthehemi përsëri në botën tonë të imagjinatës, ku mund të përfytyrojmë lehtë, se më në fund ka ardhur dita që shqiptarët të bashkohen me këtë botë përtej Atlantikut, jo vetëm nëpërmjet qindra e qindra mijëra emigrantëve, por nga qindra dhe qindra mijë fije të tjera, të cilat ne i përfytyrojmë të shkruara në librin tonë të madh të integrimit, që mund të përkthehet ndryshe në librin e lirisë sonë.

Ajo që është arritur deri tash i ngjan shumë bashkimit të së pamundurës që kemi krijuar në mendje ose tentativës për të kapërcyer “të pamundurat” tona. Por realiteti që jetojmë përditë sikur na zgjon nga gjumi për të kuptuar se edhe në procese kaq të mëdha, në vend që të jemi të gatshëm të bashkojmë dy ditë bashkë, ne nuk lëmë dot as dy gurë bashkë, aq trazovaçë jemi bërë deri në cepat e çdo institucioni.

E ndërsa lexoj plot kureshtje përshëndetjen që Hillari Klinton i ka bërë popullit shqiptar me rastin e 99-vjetorit të Pavarësisë e përfytyroj që t’i ketë vënë firmën kësaj përshëndetjeje para festës së saj të thellë. Një festë që nuk ka të bëjë me historinë shtetërore të popullit të saj, por me konstitucionin më të brendshëm të tij. Në ndryshim me ditën e 28 Nëntorit, ose kremtimit të Pavarësisë shqiptare të 1912-s, Dita e Falënderimeve zë fill nga një festë e përbashkët të korrash mes banorëve vendas autoktonë dhe të emigruarve, që ka ndodhur andej nga fillimi i 1600-s dhe ka hedhur themelet e bashkëlidhjes të shpirtit amerikan. Nga një festë e thellë e zyrtarizuar nga Abraham Linkolni më vonë, mund të mësosh për shpirtin e një shteti “kontinenti” më tepër se nga të gjitha gazetat. Qofshin këto “Nju Jork Tajms” apo “Uashington Post”. Dhe sikur të dinim edhe ne të krijonim festa të tilla, që nuk kanë lidhje me relacione të njeriut me natyrën si Festa e Verës dhe relacione të njeriut me kohën si festa e Vitit të Ri, do të kapërcenim në një fazë të re, atë të festës së relacioneve të njeriut me njeriun, gjë që ndoshta kemi tentuar ta arrijmë me ditën e Nënë Terezës, por që nuk tingëllon ende e plotë. Shumëkush mund të fillojë të lidhë mungesën e një gëzimi edhe më të përbashkët me spekulimet ndaj varfërisë, por kjo nuk na pengon të kujtojmë se sa thellë ka hyrë festimi i Shën Gjergjit nga komunitete të thella të kthyera në islam, një festim që lidhet me ditëlindjen e Gjergjit të Madh, ose unitetit shqiptar, por që nuk është kryer në kohë begatie të madhe. I kthehem përsëri 28 Nëntorit, kësaj dite që domosdo do të ketë edhe fanfara, madje tani bukur dhe madhërishëm do të festohet po në Vlorën tonë të Madhe ku është ngritur flamuri, pa më vënë mendjen shumë në punë, përse deri atëherë nuk kishte as kryeqytet, a qendër administrative të madhe e përse na kishin ndarë aq me dhelpëri në katër vilajete të ndryshme. Më vjen keq ende përse 28 Nëntori është parë dhe vazhdon të shihet si një festë politike, paçka se një poet si Lasgush Poradeci do të kishte dashur ta njerëzonte më tepër. E kush nuk i mban mend vargjet e tij, ku delegatët e viseve të ndryshme shqiptare që shkonin drejt Vlorës i krahason me dhëndurët të thurur me kurorë.

Lasgushi kurorëzimin e pavarësisë e quan një dasmë të madhe shqiptare të mbushur si pasojë plot gëzim, për të kapërcyer të pamundura të mëdha shekullore.

Dihet se me gjithë tentavivat e një poeti si ai e deri kësaj dite, sado të ndërhyjë dhe të urojë sekretarja e sotme e Shtetit, Hillari Klinton, e cila duket sikur i di vargjet e Lasgush Poradecit, shqiptarët kanë pothuaj po aq vjet sa mosha e shtetit të tyre, që hakërrehen, deklaratizohen dhe e përdorin edhe Ditën e Pavarësisë për motivet e tyre politike, gati jashtënjerëzore. Ky lajtmotiv për inatet shekullore, apo ndaj njëri-tjetrit ka gjasa të mbisundojë edhe festën e këtij viti, pavarësisht nga trokitja e gotave tradicionale dhe të zyrtarizuara me zor.

Pse ndodh kjo, është një histori e gjatë. Kjo? Është thellë-thellë një mungesë gëzimesh, një kulture e mërive të shfrenuara, e cila krijoi frymëzime të reja dhe të egra gjatë një periudhe të gjatë totalitare, por që na la qoftë një gjurmë njerëzore, gati si oponencë me politikën, festën e Vitit të Ri, të ngjashme me thanksgiving amerikan.

E ndërsa më duket se edhe tani që po shkruaj po vazhdoj të udhëtoj drejt një kontinenti tjetër, kam të drejtë të mendoj, se bota e sotme globale e tejkalon qoftë edhe bashkimin e dy ditëve bashkë, duke ofruar gjithnjë e më shumë tiparet e përbashkëta të institucioneve të ndryshme demokratike dhe uljen në tryezat e mirëkuptimit. Të mos arrish të bësh këtë, do të thotë të kthesh në gur shpresën dhe dritën e mijëra dhe mijëra njerëzve që dëshirojnë të qëndrojnë të ulur së bashku të paktën në tryezën e tyre të festës, njësoj si amerikanët apo çdo popull tjetër i botës. Dhe në qoftë se kjo nuk arrihet edhe gjatë këtij mandati, përgjegjësia i takon në radhë të parë forcës politike që ka marrë përsipër për këtë periudhë fatin tonë të përbashkët. Por zor se kjo mund të ndodhë në Shqipërinë e sotme, ku fjala e përbashkët ka filluar të mos ekzistojë, madje edhe në raportet me Kosovën.

Kur përfytyron se si në një ditë thanksgiving, në një vend kaq të pafund si ShBA pranë tavolinave të falënderimeve nuk ka më as mormonë, as njerëz që frekuentojnë kishën metodiste apo afrikanë episkopalë zion, apo asocacionin e bashkimit indu, apo vëllezër islamikë, por thjesht njerëz me një histori dhe fat që i ka bashkuar fort, zor se të bie ndërmend të krenohesh me tolerancën e fetarëve shqiptarë, të cilën e përmendim shpesh. E di, atje ku respektohet pafund diversiteti, lind edhe mirëkuptimi i mirëfilltë. E ndjej gjithashtu përditë që jetoj në një vend ku ekziston ende frika e diversitetit, e cila nënkuptohet vetëm si shpërbërje dhe si pasojë, ka grupe minoritetesh që nuk arrijnë të nxjerrin përfaqësuesit e tyre as në legjislativ, ose i delegojnë te të tjerët vendimmarrjet e tyre, si ka kisha në mes të Tiranës, ku shqiptarë ortodoksë dhe grekë ortodoksë duhet të mblidhen bashkë, pa gëzuar askush deri në fund gjuhën amtare.

Sigurisht që krahasimet dhe kundërkrahasimet nuk shkojnë gjithnjë mes një populli të sfilitur dhe një populli me kapacitetet NASA, por besoj se nuk ka njeri që të mos e ketë zili shpirtin e hapur amerikan, ku janë shumë të rëndësishme në një ditë si ajo e Falënderimeve, relacionet shoqërore që shprehen në ketë tryezë të përbashkët dhe i krahasoj me qarkun gjithnjë e më të mbyllur shqiptar të festimit rreth familjes dhe farefisit, gjë që po krijon një izolacion të ri dhe të mbyllur.

E ndërsa amerikanët me plot finesë kanë shpikur një festë që bashkon një fundjavë të gjatë, ku sigurisht do të gëzojë në radhë të parë familja, përfaqësuesit e Parlamentit shqiptar, thua për të përcaktuar kursimet, (të cilat u shkojnë sipas midesë vetëm fitimeve të punëdhënësve të pakët), shkurtuan edhe një të drejtë gëzimi, hareje, apo meditimi të lirë fetar, sa herë që festa bie të dielave. Madje në këtë formë kaq të politizuar dhe të ideologjizuar vazhdon të shkurtohet edhe 29 Nëntori. Njerëzimi shpesh nuk i gjen dot zanafillat e traditave të tij dhe nuk i shkatërron dot ato lehtë, si mund të bënin edhe amerikanët, zaten nga fakti se edhe Festa e Falënderimeve ka të bëjë me periudhën e tyre koloniale, të hedhur poshtë nga Deklarata e Pavarësisë. Por dëshiroj që kjo të mos ketë lidhje vetëm me llogaritë shqiptare për t’i bërë qejfin një pjese kundër një pjese tjetër, sado borxhe që t’i kenë ato njëra-tjetrës. Ajo ka lidhje me zymtësinë shqiptare, që përpiqet të mbizotërojë vendin.

Ç’i ka gjetur shqiptarët të jenë kaq të zymtë ndaj festave dhe njëri-tjetrit, asnjeri nuk mund ta kuptojë në botën mbarë, përveç se po të futesh në ca skuta të errëta të mjerimit që shpërndahen andej-këndej. Por kjo është temë e ndonjë rasti tjetër, kur nuk e lidh dot festën tonë kombëtare me festën e çdo amerikani.

Për të qenë më praktikë, le t’ia lëmë të paktën bashkimit kombëtar, gëzimit të përbashkët, menynë e përbashkët tradicionale të gjelit të detit, bakllavasë dhe byrekut, a një sallate të krijuar bashkërisht, në festat që e kanë tejkaluar deri më sot 28 Nëntorin.

Se nuk janë budallenj amerikanët që hanë pothuajse të gjithë njësoj në Ditën e Falënderimeve.

Gazeta “Shqip”

Top Channel