Nga 2 deri në 4 milionë lekë për një dëftesë të shkollës së mesme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit.
Policia e kryeqytetit arrestoi tre persona nën akuzën e korrupsionit gjatë një operacioni të koduar “Gjimnazisti”. Bashkim Leti, drejtor i gjimnazit në Martanesh, një ish-mësues i kësaj shkolle, Kadri Gjoni, si dhe sekseri Sajmir Levonja janë personat e ndaluar.
Policia tha se ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjenin në kryeqytet të rinj që nuk e kishin përfunduar të mesmen dhe u jepnin një dëftesë të rregullt të gjimnazit të Martaneshit në këmbim të 400 mijë lekëve.
“Gjatë ecurisë së hetimit, rezultoi se Sajmir Levonja gjente personat e interesuar për të përfunduar shkollën e mesme, ndërsa dokumentacionin përkatës ia dorëzonte Kadri Gjoni, ish-drejtor i Shkollës së Mesme “Jani Fullani”, i cili duke shfrytëzuar më pas lidhjet miqësore me Bashkim Letin, drejtorin aktual, realizonin nxjerrjen e diplomave dhe vërtetimeve të ndryshme”, theksoi zëdhënësja e Policisë së Tiranës.
Policia gjeti në shtëpitë e të arrestuarve dokumenta shkollore të personave për aplikim për studime të shkollës së mesme, si dhe një sasi të madhe parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.
Top Channel