Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se viti 2012 do të jetë viti i liberalzimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian.

Deklaratën e tij Thaci e ka bërë në takimin e radhës të Këshillit Ministror për Integrimet Evropiane, ku ka theksuar se raport-progresi i KE do të jetë planveprimi i kabinetit të tij.

“Kërkesat e dala nga raport-progresi do të përmbushen në një afat rekord dhe Ministria e Integrimeve gjatë vitit 2012 do të paraqesë cdo 3 muaj një pasqyrë për përmbushjen e tyre nga ministritë përkatëse”, citohet Thaci nga “RTK”.

Më tej kryeministri ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ndaj Kosovës të ketë të njëjtën qasje sikurse ndaj vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor.

Ai ka falenderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në proceset e integrimeve.

Angazhimi i Thacit vjen në një moment kur Brukseli ka ngritur zërin ndaj vendeve të Ballkanit, për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve që kanë përfituar nga heqja e vizave.

Në fund të muajit të kaluar Kosova u vizitua nga raportuesja e saj në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, e cila kërkoi që Prishtina të bëjë “detyrat e shtëpisë” për të arritur integrimet evropiane.

Ndërsa raportuesja e Parlamentit Evropian për cështjet e vizave, Tanja Fajon deklaroi se Kosova duhet të presë së paku edhe dy vite për të arritur liberalizimin e vizave.

Top Channel