Terroristi që shpëtoi Millosheviçin nga shqiptarët

26/11/2011 00:00

Terroristi më famëkeq në botë, venezuelasi Karlos, që aktualisht  po gjykohet për të dytën herë në Paris për katër sulme të organizuar dhe të kryesuar nga ai me shpërthime bombash, si rezultat i të cilave janë vrarë qindra vetë gjatë viteve 1982-1983, në fillim të viteve 1990 ka shpëtuar udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, nga një atentat të porositur nga shqiptarët, shkruante këto ditë gazeta kroate “Sllobodna Dalmacija”.

Duke iu referuar një libri autobiografik të sapopublikuar, “Anatomia e tumorit global” me autor Dragan M. Filipoviç, ish-shef i madh i policisë sekrete jugosllave. Ky i fundit, në librin e tij të lartpërmendur, shkruan se shqiptarët kishin angazhuar, duke paguar një shumë mjaft të madhe, organizatën “Kolona e hekurt”, që ishte pjesë përbërëse e rrjetit të “ushtrisë revolucionare” të fshehtë të Iliç Ramirez Sançez, i njohur gjerësisht edhe me nofkën Karlos Çakalli, që të organizonte një atentat për vrasjen e Millosheviçit.

Policia sekrete jugosllave, në mënyrë operative, u vu në dijeni të atentatit që po përgatitej kundër Millosheviçit nga ana e “Kolonës së hekurt”, kështu që kërkoi menjëherë vetë Karlosin, të cilin nuk e kishte të vështirë që ta gjente, pasi prej një kohe të gjatë  mbante lidhje me të. Ai madje edhe kishte vrarë në emër të saj armiq të shtetit jugosllav që vepronin jashtë, sidomos pjesëtarë të emigracionit politik kroat ustash. Si shpërblim, sikurse shkruan Filipoviçi në librin e tij të lartpërmendur, Karlos Çakalli kishte pushuar në kampet e pushimit ose vilat qeveritare në Dubrovnik, Split dhe Zagreb, madje edhe pas vdekjes së Titos, me “amanetin” të këtij të fundit.

Sipas Filipoviçit, Karlosi hyri në kontakt me policinë jugosllave dhe i tregoi asaj emrat e pseudonimet e pjesëtarëve të “Kolonës së hekurt”, një grup vrasësish të paguar që ishin ngarkuar të vrisnin Millosheviçin, si dhe numrat e llogarisë bankare përmes të cilëve shqiptarët kishin paguar për atentatin që i kishin porositur “Kolonës së hekurt” dhe si përfundim, kjo e fundit hoqi dorë nga atentati në fjalë.

Po ashtu, ish-shefi i policisë jugosllave shkruan në librin e tij se, në një rast, Jovica Stanishiç, një zbulues i nivelit të lartë në policinë sekrete jugosllave të Titos, në vitin 1975, e kishte arrestuar në hotelin “Metropol” të Beogradit, Karlosin, por se me një “urdhër nga shumë lart” ai u lirua menjëherë dhe më pas u nis si një punëtor i një ndërmarrjeje ndërtimi për në Irak.

Karlosi, i arrestuar nga zbulimi francez më 1994 në Sudan, u dërgua po atë vit në Paris, ku u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy agjentëve të policisë franceze.

Gazeta Shqip

Top Channel