Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava u bëri thirrje institucioneve të sigurisë që t’i kontrollojnë mirë kufijtë, pasi vlerëson se në Kosovë po hyjnë individë të dyshimtë, të cilët përmes aktiviteteve fetare po synojnë indoktrinimin e rinisë me frymë ekstremiste.

“Fatkeqësisht edhe sot në Kosovë ende hyjnë njerëz pa kurrfarë kriteri, hyjnë persona të paftuar, hyjnë persona dhe individë, të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës”, ka thëvë Tërnava në një intervistë për “Radio Kosovën”.

Në thirrjen e tij të pazakontë, Tërnava thotë se këta elementë që hyjnë në Kosovë nuk janë zyrtarë dhe mysafirë të Bashkësisë Islame. Ata, sipas tij, po mundohen që një pjesë, në veçanti rininë, ta indoktrinojnë.

“Për këtë duhet të jemi shumë syçelë. Ministria e Punëve të Brendshme, EULEX-i dhe qeveria në përgjithësi duhet t’i kontrollojnë kush janë ata njerëz. Unë nuk mund t’i kontrolloj kufijtë e Kosovës, pasi nuk është punë e imja, por dua të deklaroj botërisht se ata individë që kanë ardhur në Kosovë nuk kanë ardhur me ftesën e Bashkësisë Islame”, ka deklaruar Tërnava.

Një kërkesë ai ia ka drejtuar edhe besimtarëve: “Ne i porosisim të gjithë xhematlinjtë tanë, të gjithë vëllezërit dhe motrat tona, që të mos bien pre e asnjë interesi të ngushtë, pavarësisht nga vjen ai. Pasi nuk ka radikalizëm vetëm në fenë islame, por edhe në fetë e tjera, dhe ato janë prezente në Kosovë”.

“Megjithatë, unë nuk shoh rrezik për ardhmërinë, mirëpo duhet që institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me ne, të punojnë dhe t’i çojnë në vend porositë fetare, ta ruajmë mesin, por jo duke i luftuar ndjenjat fetare”, ka perfudnuar myftiu i Kosovës intervistën e tij të pazakontë.

Top Channel