
Endri Xhafo – Unë një gjë nuk kuptoj: çfarë ka dashur të thotë autori me atë trotuarin
e vogël trekëndor përpara xhamisë së Ethem Beut, tërësisht jo
funksional, që prish simetrinë e trotuareve të Bashkisë dhe të Pallatit
të Kulturës dhe futet në trajektoren makinave si pykë?
Pse duhej harkuar rruga, qoftë këtu, qoftë nga krahu ku rrinin dikur kambistët, ndërkohë që rrugët e sheshit të ministrive janë projektuar për të qenë të drejta? Dhe çfarë dreqin duan mbi atë trotuar përpara xhamisë, ata qiparisa apo çfarëdo qofshin, pemë varrezash bash në qendër të Tiranës? Apo për të dëshmuar se nën hijen e tyre imcake prehet “ndjesë pastë” projekti i një sheshi që s’është më?
Unë nuk kam nostalgji për Ramën, që ta sqarojmë këtë që në fillim. Por ama nuk ka as vend ku të rrijë që kryetari i ri i bashkisë, “çun Tirone”, që ka kaluar vite në Perëndim, që për veten e vet vishet gjithmonë me sqimë, shkon dhe lejon një shëmtirë të tillë, që e shndërron atë dhe bashkinë në objekt talljesh? Ore s’ka nevojë për shpikje, mirë thoshte Artan Lame pak kohë më parë, merrni projektet që ekzistojnë për sheshin dhe zbatojini!
Në fakt “ideatori” i kësaj qepjeje fët e fët të sheshit, na qenka një djalosh 27-vjeçar, që aq diti, aq bëri. Por ata që janë sipër tij, që i thanë “ok, bëje”, duke varrosur bashkë me projektin e shkuar edhe disa miliona euro të investimeve nëntokësore për dhomat inxhinierike, depot e ujit etj., a punojnë ata për veten e tyre apo jo? A u intereson atyre e ardhmja, rizgjedhja? Po pse ore u duhet dhënë shkas njerëzve që të tallen me “pyllin” përpara Muzeut Kombëtar, për të cilin kanë filluar të thonë se është një eksperiment në natyrë i projektit qeveritar për mbjelljen e frutorëve? Pse duhet ushqyer kaq hapur fantazia popullore me pirgun e dheut që lartësohet përpara Skënderbeut, për të cilin njerëzit tani imagjinojnë se do të prodhojë tagji për kalin prej bronzi?
Në kohën kur qeveria qendrore po ndërton realisht rrugë dhe tunele, është mediokritet jo vetëm estetik, por edhe politik i qeverisjes lokale, që t’u sjellë në mend njerëzve idetë e shkuara se “këta nuk dinë”, apo se “këta janë njerëz të maleve, që vetëm prishin dhe nuk ndreqin gjë”. Prishja e “Zogut të Zi” u harrua; pavarësisht se gabimi i qeverisë u vërtetua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Dhe pavarësisht se shatërvani, që zuri vendin e mbikalimit, e që në fillim e hidhte ujin përpjetë me krenari, tani, si një i sëmurë nga prostata, e nxjerr me pika, ose s’e nxjerr fare. Ndaj ai ndryshim, i bërë edhe ai me nxitim, me inat dhe pa vizion, nuk duhej risjellë në kujtesë me një akt tjetër të ngjashëm, po aq nihilist sa i pari, njësoj jo funksional sa i pari, më shumë shpërdorues se i pari.
Sheshi “Skënderbej” sigurisht u hap për makinat, duke shfryrë qarkullimin e qendrës, por sheshi vetëm i tillë nuk është më! Hapësirës i është zënë perspektiva në të dyja akset, veri-jug dhe lindje-perëndim, i mungon shatërvani në mes dhe hapësira pedonale për qytetarët. Ka vërtet një trotuar rrethor në mes, por për çfarë dreqin duhet, kur njerëzit nuk kanë ç’të bëjnë në të? Sepse tërë ajo hapësirë dheu përpara monumentit nuk hyn në punë për asgjë, përveç se për të krijuar një hendek mes monumentit dhe qytetarëve. “Skënderbeu” ka qenë gjithmonë një pikë referimi për qytetin, pikë takimi për banorët dhe për vizitorët. Tani, askush përveç punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit, që do të kosisin barin, nuk do të mund t’i afrohet më monumentit. Duke ua hequr monumentin qytetarëve, bashkia u ka zhvatur sheshin banorëve!
Kjo ndjesi thellohet më shumë natën, ku ndriçimi i pamjaftueshëm, e bën sheshin një rrethrrotullim të zakonshëm, si ata që gjenden rëndom në portat e qyteteve, por jo në qendrat e tyre. Kësisoj i transformuar, sheshi, i parë nga lart (në “Facebook” qarkullon një foto e Alket Islamit), i ngjan një pecete higjienike; ato dy të futurat në anë, e bëjnë një pecetë të rrudhosur nga përdorimi.
Hemorragjia që është derdhur në shesh është pisllëku i një politike revanshiste, pa vizion, që mendon se veprat lindin dhe përfundojnë në harkun e një mandati. Kësisoj, gabimi fatal i vitit “0” përsëritet dhe koncepti i stafetës së punëve publike, që kapërcejnë mandatet e politikanëve, vërtetohet se nuk ekziston. Kjo i bën fjalët e fushatës së Bashës për punën e mirë të paraardhësit Rama, boshe dhe të pasinqerta.
Unë e kuptoj që qeveria qendrore nuk ia hapte dritën jeshile Ramës për Unazën e vogël, por nuk kuptoj pse Berisha nuk zhbllokon fonde, tani që në krye të Bashkisë ka Bashën? Ambicia për ta zgjatur bulevardin “Zogu I” deri në Paskuqan, përtej stacionit të trenit, që Basha është zotuar ta bëjë në mandatin e tij të parë, nuk është alibi për karakterin e përkohshëm të sheshit. Ç’do me thënë kjo? Në djall lekët, se sheshi është i përkohshëm?!
Rasti i sheshit “Skënderbej” më kujton se sa pa plan, pa ide, pa fantazi, shpesh në injorancë të plotë, bëhen në Shqipëri shumë gjëra. Që nga autostradat, që copëtohen në mes me rrethrotullime, te rrugët me sens njëkalim të pastudiuara, apo ajo linja e tensionit të lartë që shpon mes përmes bulevardin “Zogu I”, për të përfunduar në një nënstacion mbrapa hotelit me katër yje “Tirana International” (kulmi!) dhe askujt s’i shkon në mend të ngrejë njëherë kokën lart apo t’i bëjë pyetje vetes nëse ato kabllo kanë apo jo rrezatim. Vazhdohet me investimet pa plan “të dalë ku të dalë”, me përbuzjen për lekun, qoftë ai i taksapaguesve shqiptarë, apo kuvajtianë, e deri tek injorimi total i publikut.
Mendimi se qytetarët janë vulg, që s’marrin vesh, se kanë jetuar tërë jetën nën privim dhe u mungojnë piketat orientuese, është sot një realitet i tejkaluar. Jemi në fund të vitit 2011 dhe tiranasit kanë dalë e kanë parë botë me sy, qoftë edhe në sajë të heqjes së vizave. Sensi estetik i kryeqytetasve është sot disafish më i zhvilluar sesa sjellja e politikanëve. Me shijet e rafinuara të elitës së tij, kryeqyteti, me mendësi dhe kulturë, është integruar në Europë.
Ndonjëherë duhet ndonjë shkundje, që ata që drejtojnë të vijnë në vete. Për shembull, kur Rama shtroi sheshin “Nënë Tereza” me asfalt, sepse s’kishte lekë ta bënte me pllaka (me pllaka është edhe “Champs-Élysées” në Paris), filloi të bënte ca ndarje, atipike për një shesh. Dikush e mori në telefon dhe i tha: “O Edo, po ç’bën mor burrë? Perandorët bëjnë sheshe, kurse kryetarët rrugë!”. Rama e kapi dhe i prishi ndarjet. Basha s’ka ç’të prishë, se te sheshi “Skënderbej” e ka marrë ferra uratën. Por të paktën ta mbajë këtë parasysh për punët e tjera, që njerëzit të mos thonë: “Ia ke fut kot plako”!
Top Channel