Ridimensionimi i komunikimit politik…

26/11/2011 00:00

Dorian Koçi – Parabola është një nga mënyrat e të përçuarit të kumtit politik dhe
shoqëror që ka një përdorim të gjerë pothuaj në të gjitha vendet e
Lindjes.

Si e tillë, duke qenë se është dhe pjesë e ligjërimit biblik, ka gjetur strehë dhe në mendimin politik europian. Gjithsesi në Perëndim ajo nuk është pjesë e retorikës publike dhe ka shërbyer më tepër për të përforcuar moralin në shoqëri sesa për të përçuar mesazhin politik si ndodh rëndom në shoqëritë e ish-Lindjes komuniste. Duke qenë se mesazhi, shpeshherë jepet i nënkuptuar dhe kërkon një përqendrim të madh për të bërë analogjinë dhe për të kuptuar metaforën, parabolat dhe anekdotat nuk këshillohen në ligjërimin politik, pasi ato e lodhin elektoratin dhe mund të sjellin pak a shumë një klimë keqkuptimi midis tij dhe politikanëve. Mirëpo këtë efekt negativ të tyre, politikanët tanë që garojnë për zgjedhjet kanë filluar ta anashkalojnë, pasi mendojnë se duke u ulur në nivelin që ata besojnë se kanë zgjedhësit do të bëjnë të mundur të fitojnë më shumë vota prej tyre. Nëse këtë aksiomë e marrim për të vërtetë atëherë mund të themi se kandidatët ose nuk e njohin mirë elektoratin e vet, ose nuk arrijnë dot që të kenë nivel të lartë përfaqësimi. Personalisht dua të besoj më shumë për të parën, gjë që natyrisht nuk i shfajëson ata, por të paktën jep shpresë se diçka mund të përmirësohet rrugës në komunikimin politik.

Qytetari shqiptar dhe kryesisht ai i bashkive të mëdha, mund të themi se është një qytetar që has të njëjtën problematikë që përballon dhe qytetarët e tjerë europianë të qyteteve të mëdha europiane. Ato shtrihen kryesisht në qeverisjen më të mirë, taksat, menaxhimi i hapësirave dhe shesheve publike, transporti publik dhe ndërtimi i një infrastrukture sa më të denjë shpirtërore. Kjo problematikë e përbashkët i ka mprehur shqisat e perceptimit qytetar të ofertës politike, çka mund të sjellë me të vërtetë një ndryshim të madh në mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, por dhe në reagimin e zgjedhësve. Kjo masë njerëzish, që dikur është konsideruar amorfe dhe që ka ndjekur verbazi qoftë majtas apo djathtas udhëheqësit e vet politik në bazë të një tradite të krijuar pas viteve ‘90, në proceset integruese që ka hyrë Shqipëria ka filluar të ndërgjegjësohet për rolin e vet dhe aq më tepër nuk e meriton një trajtim të tillë nga ata që presupozohet që duhet ta udhëheqin dhe ndriçojnë për të gjetur vetveten.

Në të njëjtën përmasë shtrihet edhe një faktor tjetër i komunikimit publik, si është ai i përdorimit të gjuhës dialektore që shpeshherë kalon dhe në fraza “popullore” që shpreh kulturën e një kategorie të caktuar njerëzish, por kurrsesi të masës së gjerë. Natyrisht, motivi pas përdorimit të kësaj gjuhe është ideja se kështu mund të shkrihesh me elektoratin, të bëhesh i pëlqyeshëm dhe rrjedhimisht të përfitosh më shumë vota. Mirëpo si shihet, qoftë përdorimi i parabolave dhe anekdotave apo dhe përdorimi i dialektit në thelb nuk afrojnë mesazhin që qytetari pret nga politika, por në të kundërt i afron një lloj spektakli rruge që mund ta bëjë ta vërë buzën në gaz, por jo të zgjidhë problemet. Besoj se ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të fillojnë të dëgjojnë një gjuhë më të strukturuar për sa i përket mesazhit politik që ata duhet të marrin dhe ky mesazh duhet të fillojë të përcillet në formën e duhur për t’u kuptuar dhe për t’u përkthyer në një votë për alternativën më të mirë partiake. Shqipëria e dhjetëvjeçarit të shekullit XXI, e vendit anëtar në NATO dhe vendit aspirant për të hyrë me të drejta të plota në Bashkimin Europian meriton një komunikim publik dhe politik më të mirë mes klasës së saj politike dhe zgjedhësve, pasi në këtë mënyrë, zgjedhësit fitojnë vokacionin e tyre politik për t’u orientuar qartë për të votuar, por dhe për të marrë pjesë drejtpërsëdrejti në qeverisjen qendrore dhe lokale nëpërmjet iniciativave të tyre qytetare. Nuk është e rastësishme që në zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët filluan të përfshihen në debate jo vetëm temat e zakonshme të zhvillimeve rajonale, por dhe kostot që pëson ambienti dhe trashëgimia kulturore çka dëshmon se ka filluar të maturohet një elektorat që meriton të ndiqet dhe të vlerësohet si i tillë edhe nga klasa e vet politike. Komunikimi politik si pjesë përbërëse e strategjisë politike të kandidatëve dhe të alternativave partiake që ata përfaqësojnë, kërkon të përpunohet në drejtimin e duhur për t’u dhënë shansin zgjedhësve që jo vetëm të zgjedhin më të mirën mes alternativave, por dhe t’i përshtatet trendit të sjelljes së shumicës cilësore të zgjedhësve të qyteteve të mëdhenj, për të ndihmuar në këtë mënyrë edhe qytetarët e tjerë zgjedhës të rajoneve të tjera të Shqipërisë të kthehen nga votues të zakonshëm në qytetarë europianë aktivë. Ndryshimi i madh që pritet në politikëbërjen shqiptare për të shmangur tensionet dhe acarimet e lodhshme, nuk mund të vijë vetëm nëpërmjet publikimit të librave eseistikë apo komenteve të shkurtra me 140 karaktere të rrjetit social “Twitter”, por kërkon një njohje më të mirë të psikologjisë dhe mentalitetit të elektoratit për t’i fituar në këtë mënyrë jo vetëm zemrën, por edhe mendjen.

Pas njëzet vjetësh rrugëtimi të vështirë, ku shpeshherë fjala ka ngecur “ters” dhe është bërë kockë në fyt që ka mbytur gjithë dialogun politik në Shqipëri, ka ardhur koha që ajo të marrë dimensionin dhe fuqinë e duhur për të përmirësuar diskursin politik. Një shoqëri që dështon të ndërtojë institucionin e fjalës s’mund të pretendojë të ndërtojë shoqërinë moderne të komunikimit, pasi sa më tepër varfërohet në ide ky i fundit, aq më shumë degradon shoqëria në një maskaradë pasionesh dhe inatesh të verbëta. “Në fillim ishte fjala”, është sentenca e vjetër në Bibël, duke shprehur në këtë mënyrë rëndësinë e komunikimit mes njerëzve dhe Zotit. Kjo referencë kulturore kaq e rëndësishme duhet të shtrihet në nivelin e politikës së përditshme për të filluar dhe ndërtuar komunikimin dhe dialogimin aq të rëndësishëm në një demokraci funksionale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel