Në Kosovë vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të personave që janë të interesuar për t’u anëtarësuar në radhët e Policisë së Kosovës.

Sipas raportimeve të “RTK”, në konkursin e policisë, për 120 vende punë kanë aplikuar rreth 13 mijë kandidatë, shifër kjo e konsideruar shumë e lartë nga autoritetet.

Zyrtarë të policisë kanë bërë të ditur se një pjesë e kandidatëve kanë kaluar testin me shkrim, kanë hyrë në testin e aftësive fizike dhe së shpejti do të merren në intervistë.

“Fazat e vlerësimit deri tani kanë qenë të suksesshme. Numri i madh i kandidatëve për policinë është një avantazh, pasi zgjidhen më të mirët”, ka deklaruar Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.

Gjithashtu, autoritetet kosovare vlerësojnë se numri i madh i kandidatëve tregon respektin që qytetarët kanë për Policinë e Kosovës.

“Ky institucion gëzon respektin dhe besimin e qytetarëve, pa dallim etnie. Mund të themi se kjo është gjenerata e 43-të e Policisë së Kosovës”, ka shtuar Sadriu.

Pak ditë më parë Policia e Kosovës u vlerësua me nota pozitive në programin e njohur anglez “Policia e fortë”, të ish-futbollistit dhe aktorit të njohur britanik që jeton në Hollivud, Vinnie Jones.

Ngjarja më e rëndë që ka ndodhur së fundmi për këtë institucion ka qenë vrasja e policit Enver Zymberi, gjatë operacionit të 25 korrikut në veri të Kosovës.

Lidhur me këtë ngjarje po zhvillohen hetime në pista të ndryshme, mbi shumë persona të përfshirë, por fare pak dritë mbi atë se kush janë shkaktarët e vërtetë.

Top Channel