Ambasadori i Kosovës në Shkup, Skender Durmishi është thirrur të premten
nga Ministria e Jashtme maqedonase për dhënë sqarime lidhur me djegien e
flamurit maqedonas nga disa tifoz kosovarë në një ndeshje futbolli në
Kaçanik të Kosovës që ndodhi ditë më parë, shkruajnë mediat maqedonase.

Por këtë takim me përfaqësuesit e MPJ-së, diplomati kosovar e ka quajtur të rregullt. Ai është shprehur i habitur nga interesimi i mediave maqedonase për këtë takim.

“Sot pata një takim në MJP e Maqedonisë, ishte një takim i rregullt nga takimet e shpeshta që kemi me sektorin përkatës në Ministri  dhe nuk e kam kuptuar pse kaq shumë ka pas interesim të mediave për këtë takim. Është biseduar për cështje të bashkëpunimit të rregullt. Natyrisht edhe tema lidhur me incidentin e Kacanikut ishte pjesë e bisedës dhe unë njoftova se ka arritur nota në Prishtinë dhe autoritetet tona janë duke studjuar me seriozitet të vecant dhe pas kësaj do të ketë një komunikatë zyrtare”, tha ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skëndër Durmishi.

Ndërsa brohoritjet raciste në ndeshjen miqësore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë kaluan në heshtje si nga institucionet maqedonase ashtu edhe ato në Tiranë, djegia e flamurit maqedonas shkaktoi reagime të ashpra tek partitë maqedonase, kurse Ministria e jashtme në Shkup ka kërkuar zbulimin dhe sanksionimin e autorëve.
Mësohet se tashmë, policia kosovare ka ndërmarrë të gjitha masat për të ndriçuar rastin dhe për të nxjerrur autorët para drejtësisë.

Top Channel