Vrasja në Laç, arrestohet autori

25/11/2011 08:50

Një 20-vjeçar u ndalua nga policia e Kurbinit në orët e para të mëngjesit, si i dyshuar për autorësinë e vrasjes së ndodhur në qytetin e Laçit, gjatë ditës së mërkurë.

Eldon Kola u vendos nën pranga pa bërë rezistencë në banesën e tij në fshatin Skuraj. Policia beson se është ai njeriu që qëlloi me një armë kallashnikov ndaj Kastriot Brozit, duke e lënë të vdekur në vend. Arsyet e këtij ekzekutimi nuk janë qartësuar ende plotësisht.

Burimet e forcave të rendit lajmëruan se në banesën e 20-vjeçarit është gjetur edhe arma e krimit, që për momentin përbën provën më të fortë të akuzës ndaj Kolës.

Pasditen e së mërkurës, Kastriot Brozi u qëllua në qendër të qytetit, në zbritje të autobuzit të linjës Laç-Gallat. Fillimisht, policia e pati të vështirë të identifikonte një pistë, pasi Brozi njihej si një njeri pa probleme apo regjistër penal në të shkuarën. Megjithatë, besohet se sekuenca e krimit është arritur të ndërtohet, falë edhe dëshmitarëve pamorë.

Më parë gjatë javës, një tjetër person u vra në mënyrë të ngjashme në një lagje periferike të qytetit bregdetar të Durrësit. Ngjarja ndodhi në afërsi të ish-Ndërmarrjes së Konservimit në Spitallë. Viktima, sipas burimeve të policisë lokale, ishte shtetasi Islam Puja, rreth 40 vjeç.

Autori i këtij krimi, shtetasi Andrea Berberi, gjithashtu u ndalua në mënyrë të shpejtë nga uniformat blu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA