Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke folur rreth mundësisë së shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale për në vitin 2013, deklaroi se të vetmet zgjedhje të domosdoshme për Kosovën janë ato parlamentare.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Selimi theksoi: “Dorëheqja e qeverisë dhe shpallja sa më e shpejtë e zgjedhjeve janë të vetmet që shpëtojnë Kosovën. Ky është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Përsa i përket presidentit, është herët të flitet se kur duhet të mbahen këto zgjedhje, sepse ende nuk janë krijuar rrethanat e favorshme”.

Në këtë kontekst, Selimi ka treguar arsyet pse VV-ja nuk e ka përkrahur marrëveshjen politike të arritur në mes kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e votoi këtë marrëveshje, pra e kemi bojkotuar seancën kur është votuar, sepse atë ditë ka ndodhur një tregti politike, të cilën e kanë bërë Thaçi, Mustafa e Pacolli”, shtoi Selimi, i cili akuzoi autoritetet për presionin nën të cilin kanë vendosur Komisionin për Reforma Kushtetuese e Zgjedhore, në të njëjtën kohë që përdori tone të ashpra për dështimin e integrimit të veriut.

“Procesin e ka ngadalësuar jo vetëm padia e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare, por edhe bisedimet e dështuara të qeverisë. Janë të shumta shtetet që për momentin po presin rezultatin e bisedimeve, përpara se të vendosin në do të njohin ose jo pavarësinë e Kosovës”.

Në fund të deklaratës së tij, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti me tokat shqiptare.

Top Channel