Oketa: Me LSI-në humbëm qytetet e mëdha

25/11/2011 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, deklaroi se koalicioni mes PD-së dhe LSI-së realisht nuk i ka sjellë ndonjë përfitim të madh elektoral demokratëve. Në një intervistë për “Shqip”, Oketa thekson se ndërsa PD-ja në zgjedhjet lokale të 2011-s pati tkurrje të votave dhe LSI-ja sipas pretendimeve, rritje, atëherë i bie që koston e kësaj aleance ta ketë mbajtur vetë PD-ja. Madje ai shton se pavarësisht se me LSI-në në krah në zgjedhjet vendore të këtij viti, PD nuk arriti të merrte shumë qytete të mëdha në vend.

Oketa pranon në intervistë se do të votojë pro kandidaturës së Bujar Leskaj për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe po kështu shpreh një farë sigurie se kjo kandidaturë do të mbështetet edhe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar demokrat. Në rastin e marrëdhënieve Berisha-Topi, Oketa gjykon se ftohja e tyre nuk është personale, por institucionale dhe koha do ta tregojë sesi do të shkojë. Oketa thekson se konsensusi aktual mes PD-së dhe PS-së duhet të shihet sa do të zgjasë dhe se miratimi i ndryshimit të Kodit Zgjedhor do të jetë një provë e rëndësishme për t’u kaluar….

Zoti Oketa, ditët e fundit dy palët politike në vend duket se kanë gjetur kompromis për sa i përket nevojës për reforma dhe dhënies fund të bojkotit. Si e shikoni këtë proces dhe a jeni optimist për vazhdimin e konsensusit mes palëve?

Mendoj se ka pak vend për të qenë shumë optimist. Pas më shumë se dy vitesh me një konfliktualitet të pajustifikueshëm, optimizmi duhet lënë mënjanë dhe duhet punuar çdo ditë për të fituar kohën e humbur. Duhet punuar për të përmbushur 12 rekomandimet e Komisionit Europian si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR të bëra në raportet respektive për dy proceset e fundit zgjedhore. Pa dashur aspak të nënvlerësoj këtë moment pozitiv, mendoj se për të parë sa i qëndrueshëm dhe konstruktiv do të jetë ky konsensus, duhet pritur të shihet kur në rend të ditës të jenë çështje të rëndësishme siç është për shembull Kodi Zgjedhor. Të mos harrojmë se ne patëm një konsensus maksimal në vitin 2008 me PS-në, për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor brenda një nate dhe pasojat e atij konsensusi besoj se janë shumë të qarta. Që ky proces bashkëpunimi të jetë afatgjatë dhe i frytshëm ai duhet të udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, duhet të jetë një proces transparent dhe me përfshirjen e ekspertëve më të mirë. Bashkëpunimi duket se ka filluar, tani është e domosdoshme rivendosja e besimit dhe respektit reciprok për kundërshtarin politik.

Si e shikoni mbarëvajtjen e aleancës së PD-së me LSI-së në drejtimin e vendit, në një kohë kur ka pasur disa arrestime të bujshme të funksionarëve të kësaj partie me akuzën e korrupsionit? E shikoni këtë aleancë si të përshtatshme për PD-në edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Fakti që në zgjedhjet e fundit lokale pati tkurrje të numrit të votave të PD-së si subjekt politik dhe sipas pretendimeve të LSI kjo forcë kishte rritje, do të thotë që kostot më të mëdha i ka marrë PD, si forca e cila drejton koalicionin. Pavarësisht faktit se në zgjedhjet e fundit lokale garuam në një koalicion me LSI, përsëri nuk arritëm të fitonim në shumë qytete të mëdha. Se ç’do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme me këtë koalicion, duhet ta vendosin strukturat drejtuese të partive përkatëse. Në rastin e PD-së duhet ta vendosë kryesia e partisë, ndërsa qytetarët do gjykojnë dhe vendosin me votën e tyre.

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar një tjetër emër për Kontrollin e Lartë të Shtetit, emrin e ish- ministrit të PD-së, Bujar Leskaj, i cili është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar Demokrat. Mendoni se PD duhet ta pranojë këtë kandidaturë dhe ju vetë do të veproni si në rastin e Sali Shehut, kur mbajtët një qëndrim individual, ndryshe nga grupi juaj politik?

Në rastin e z. Shehu, pavarësisht se qëndrim individual, personalisht mbajta një qëndrim politik, duke votuar pro një anëtari me kontribute të pamohueshme në PD. Të njëjtin vlerësim dhe të njëjtin qëndrim kam dhe për kandidaturën e z. Leskaj dhe padyshim që do ta votoj pro. E kam të vështirë të besoj se edhe kundrejt z. Leskajt, grupi ynë parlamentar do të mbajë të njëjtin qëndrim si në rastin e z. Shehu.

Mendoni se ambicia e shfaqur e Presidentit Bamir Topi për të krijuar një parti politike pas mandatit, po dëmton marrëdhëniet mes institucionit të Presidencës dhe Kuvendit dhe po kështu institucionet, krerët e të cilëve zgjidhen nga këto institucione? Si e shikoni këtë ekuacion?

Do ishte naivitet të mendohej se ky deklarim i Presidentit ka cenuar marrëdhëniet ndërmjet institucioneve. Në një demokraci funksionale, marrëdhëniet institucionale nuk varen nga raportet personale ndërmjet drejtuesve. Këto marrëdhënie i rregullon vetë sistemi, duke respektuar pavarësinë e çdo institucioni dhe duke ruajtur balancat e duhura ndërmjet tyre. Nëse te ne duket që marrëdhëniet ndërmjet institucioneve nuk funksionojnë siç duhet, atëherë mendoj se duhet parë se ku e kemi dëmtuar sistemin apo ku e kemi prishur “peshoren”. Për të qëndruar brenda termit matematikor që ju përdorni në pyetjen tuaj, zgjidhjen e këtij ekuacioni nuk e shoh të lidhur me emra, por me rivendosjen e balancave të prishura pas ndryshimeve kushtetuese. Si çdo ekuacion dhe ky sigurisht që do të marrë zgjidhje. Është thjesht çështje kohe.

Gazeta Shqip

Top Channel