Banja Koviljaça, qyteza kufitare e Serbisë me Bosnjën, në rrugë i ngjan ndonjë qyteze të Afganistanit.

Në mesditë qindra refugjat takohen dhe shëtisin. Të rrallë nga ata kanë pak para, të tjerët shkëmbejnë nga një cigare dhe më pas largohen. Në rrugë ka patrulla policie.

Qendra për pranim të azilantëve ka 80 vende, por për të filmuar duhet lejë e veçantë. Ata thonë se nuk kanë kapacitet të madh, ndërkaq janë 5000 refugjatë të ardhur kohëve të fundit.

Banorëve nuk u pëlqejnë mysafirët e papritur e shumica me ngjyrë që ua ka sjellë kriza greke. Më parë ata shkonin në Greqi për të kërkuar ndihmë apo rrugë për në Bashkimin Evropian, tani destinacioni është Serbia.

Xhavid Hajdari, është një afgan që ka një vit në rrugë. Por, ende nuk e ka gjetur kepin  e shpresës së mirë. Është nisur për në Austri, por rruga i ka rënë nga Irani. Është i pa pranueshëm për më se dhjetë shtete dhe në rajon.

“Dua të shkoj në Austri dhe kam tre muaj këtu, por nuk dua të rri. Por është vështirë të shkohet. Kam udhëtuar një vit ngaAfganistani nga Turqia, Greqia, Maqedonia dhe Serbi. Një herë kam qenë në Slloveni, por Sllovenia më ka deportuar në Kroaci, e Kroacia në Serbi. Kam disa miq, kryesisht nga Afganistani, jo serbë. Por, serbët duken njerëz të mire dhe policia sillet mire”, thotë Xhavid Hajdari, refugjati nga Afganistani.
 
Shumica janë të pastrehë apo paguajnë qira në pritje të aprovimit të dokumenteve apo një udhëtimi tjetër pa destinacion në autobus refugjatësh të kthyer. Disa kanë humbur edhe familjet.

“Është problem të jetosh në Afganistan sepse ka luftë në vende të ndryshme pasi disa qytete i kanë talebanët. Gjithmonë ka probleme dhe jeta nuk është aspak e mirë. Unë kam qenë gazetar dhe njerëzit duhet të ndjehen mirë për të jetuar atje. Ka shumë njerëz që u janë vrarë familjeve, ne kemi ardhur pasi nuk është mirë atje dhe nuk ka jetë të mirë”,  thotë një refugjat.   

“Unë kam dashur të shkoj në Austri, kamtre muaj këtu. Dhe, nuk kam familje dhe dua të shkoj pasi as këtu nuk na lënë”, thekson një tjetër.

Thonë se policia serbe është e mirë pasi nuk i rreh si ajo afgane. Serbia është duke kërkuar zgjidhjen në kazerma të ndryshme.

Banorët kanë kërkuar që refugjatët të jenë në kontroll në një farë forme si në kampe përqendrimi. Policia ka thënë se ata janë njerëz të lirë. Megjithatë, ata janë pa strehë dhe pa ushqime.

Banja Koviljaca ka qenë një banjë e njohur kuruese, por duket se nuk ndihmon për dhimbjet e refugjatëve nga zonat e trazuara. 

Top Channel