Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të Beogradit dhe drejtuesve ilegale të komunave veriore të Kosovës, drejtuar serbëve për të bojkotuar institucionet e shtetit të ri, ato shpesherë vazhdojnë të mos dëgjohen.

Madje, edhe qytetarët serbë të komunave veriore, si Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe ata të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, të ndodhur në një terren të bllokuar nga barrikadat që prej disa muajsh, nuk ngurrojnë të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës.

Në Lagjen e Boshnjakëve, që ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, vazhdon punën “Qendra për Shërbime Civile”. Që prej muajit gusht, deri në fund të tetorit, janë gjithsej 1 127 qytetarë të komunitetit serb që janë pajisur me letërnjoftim të Kosovës, në këtë zyre në Veri.

Blerim Camaj, funksionar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, deklaroi se deri më sot, muaji më i lartë i kërkesave për letërnjofime kosovare ka qenë gushti. “Pavarësisht barrikadave e tensioneve, serbët vazhdojnë të pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës.  Në gusht janë shpërndarë 636 letërnjofime, në shtator 342 dhe në tetor 149. Janë pajisur edhe 11 shtetas serbë me pasaporta. Situata e tensionuar dhe thirrjet e Beogradit nuk kanë ndikuar”.

Hapja e Zyrës së regjistrimit civil në lagjen e Boshnjakëve në fillim të korrikut 2010 ishte kundërshtuar nga një numër serbësh, të cilët ishin mbledhur në këtë lagj për të protestuar, ndërsa pati edhe shpërthime dhe të shtëna armësh.

Ajo që e ka bërë popullore këtë zyrë, ndryshe nga shumë organe të tjera të shtetit kosovar, është mbajtja sekret e identitetit të aplikantëve dhe kjo bëhet për shkaqe sigurie.

Top Channel