Vicente Del Bosque do të jetë trajner i përfaqësueses spanjolle deri në vitin 2014. Lajmi konfirmohet nga Federata Spanjolle e Futbollit nëpërmjet presidentit të saj, Ánhel Maria Villar.
‘Ende nuk e kemi firmosur kontratën me Del Bosque-n, por ai e di që do të konfirmohet në pankinë. Kemi një përfaqësuese fantastike që drejtohet nga një trajner i jashtëzakonshëm. Rezultatet e skuadrës së parë tashmë janë reflektuar edhe në kategoritë inferiore të futbollit spanjoll, madje ka arritur deri aty sa është bërë model në botë”, shpjegoi Villar.
Kontrata aktuale e Del Bosque-s me Federatën Spanjolle të Futbollit skadon në vitin 2012, menjëherë pas përfundimit të kampionatit europian të Futbollit që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
Rezultatet në fazën eliminatore, ku Spanja i fitoi të gjitha ndeshjet në dispozicion, bëri që drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit spanjoll të mendojnë për rinovimin e kontratës me Del Bosque-n edhe për 2 vjet.
Top Channel