Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin ka deklaruar se vendi ballkanas nuk e ka të sigurt marrjen e statusit të kandidatit më 9 dhjetor.

Kacin është shprehur se shkak për këtë dyshim është bërë mungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tani në bisedimet me Kosovën.

“Deri më sot Serbia nuk ka dërguar sinjale të qarta e të kuptueshme se ka vendosur të zbatojë marrëveshjet me Prishtinën, që janë jetike për marrjen e statusit të kandidatit”, ka deklaruar Kacin.

Sipas “REL”, eurodeputeti slloven e ka bërë këtë deklaratë gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Sllobodan Petrovic, në Bruksel.

Kacin ka shprehur gjithashtu besimin e tij se në kuadër të dialogut duhet diskutuar edhe mbi mosmarrëveshjet në lidhje me pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës.

Situata në këtë zonë të Kosovës është bërë më e tensionuar, jo për shkak të konflikteve, por nga qëndrimi i ri i serbëve që kërkojnë pavarësi.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic deklaroi se serbët e Kosovës nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kjo kërkesë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka dalë hapur kundër cdo ideje që parashikon ndarjen e Kosovës, duke theksuar se nuk dëshiron ndryshim kufijsh në Ballkan.

Top Channel