Piramida në Gjykatën Kushtetuese

23/11/2011 00:00

Të mërkurën Gjykata Kushtetuese u zhyt në shqyrtimin në themel të cështjes së piramidës. Një grup deputetësh mendon se ligji që i hap rrugë prishjes së saj për ndërtimin e një kompleksi parlamentar, bie ndesh me ligjet në fuqi.

Avokati Genc Cifligu argumentoi: “Ligjet organike që rregullojnë ndërtimet kanë përcaktuar qartë se komptencat janë të organeve të pushtetit vendor”, deklaroi Cifligu.

Një detaj tjetër është mungesa e një fature financiare për kompleksin e ri parlamentar. Ndërkohë që kushtetuta thotë se ligjet duhet të shoqërohen kurdoherë me një raport për shpenzimet që vijnë nga zbatimi i tij.

Specialisti i cështjeve të trashëgimisë kulturore Artan Lame shpjegoi se si u shpall në vitin 2000, gjatë qeverisë socialiste, aksi i bulevardit Dëshmorët e Kombit deri te stacioni i trenit “asambël monument kulture”.

Kurse në vitin 2007, në kohën e demokratëve, godina të vecanta të këtij ansambli, përfshirë piramidën, u shpallën monumente kulture vec e vec. Tre vjet më vonë, në vitin 2010, godinës iu hoq ky status. “Godina o është o s’është, o i ka o s’i ka vlerat”, u shpreh Lame.

Zoti Lame i ofroi gjykatës një kopje të librit me tërë shkrimet që janë bërë në mbrojtje të piramidës, moment që shkaktoi reagimin e përfaqësuesit të Kuvendit. “Të hiqet libri nga foltorja, se nuk jemi në talk show”, tha ai.

Në prapsimet e tyre, përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave thanë se ligji nuk i uzurpon kompetencat e pushtetit vendor. Por argumenti kyc i tyre ishte se në rastin në fjalë, grupi i deputetëve nuk legjitimohet në kërkesën e tij.

Sipas përfaqësuesve të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, ashtu sic është formuluar kërkesa e deputetëve, kemi të bëjmë me një konflikt kompetencash.

“Në këtë rast, i vetmi organ që legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese është Bashkia e Tiranës”, deklaroi përfaqësuesja e Kuvendit.

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave shkoi më larg, kur tha se deputetët nuk kanë marrë pjesë as në diskutimin e ligjit as në votimin e tij.

“Deputetët nuk kanë ushtruar të drejtën e tyre për pjesëmarrje në procesin legjislativ, as me votë pro as me votë kundër”, tha ajo.

Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave kërkuan rrëzimin e kërkesës. Gjykata vendosi të mos e pezullojë zbatimin e ligjit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet në ditët në vijim, por gjykata nuk ka afat për marrjen e vendimeve të saj.

Top Channel