Një ekzistencë e vështirë dhe një fund tragjik. Kjo ishte jeta që Arjana Serjani bëri në krah të të shoqit, Arif Serjanit!
Banues në një zonë të thellë të Tiranës, në Bërxull, pas shumë vitesh konflikt, u ndanë përfundimisht me vdekjen. Paraprakisht u fol për xhelozi, por shkaqet e asaj thike në fyt në mes të rrugës nuk duket të jenë aq të thjeshta!
Një nga banorët, fqinj me të ndjerën dhe kushëriri i saj, hodhi pak dritë mbi ngjarjen që tronditi opinionin publik, në serinë e së mërkurës së emisionit të “Pasdites”. “Arjana vinte nga një familje shumë e mirë. Prindërit e saj i respekton i gjithë fshati. Kanë patur durim të jashtëzakonshëm për trajtimin që i bënte vajzës së tyre bashkëshorti. Ai pinte, ishte pijanec dhe e rrihte. Nuk bënte asnjë punë, ndërsa ajo punonte guzhiniere e merrte 800 mijë lekë në muaj. Rrahjet ishin bërë të zakonshme. Nja 3-4 herë e kemi parë që e kapte me shqelma deri nëpër ferrat larg shtëpisë. Ajo kishte katër ditë pa shkuar në shtëpi, pasi djali ishte kthyer nga Italia dhe i kishte thënë që të shkonte të rrinte ca ditë në shtëpinë e prindërve të saj. Kur u kthye, nisi sherri dhe burri bërtiste jo do të vras, jo s’më vret dot i përgjigjej ajo. Kështu, ai nxorri një thikë dhe i ra në fyt. Kur u rrëzua përtokë, i preu dhe një herë venat për të qenë i sigurt. Gjaku shatërvan. Pastaj, telefonoi policinë dhe e priste në vendngjarje”, dëshmoi banori.
Djali i vetëm i çiftit ka lënë Italinë dhe studimet! Është në Shqipëri për varrimin e të ëmës, të cilën e riktheu në shtëpi për të humbur jetën nga dora e babait! Të gjithë janë të nervozuar dhe për shkak të tensionit nuk mund të afrohemi më tepër te shtëpia.
“Pas vrasjes, nuk e priti policinë, por morri kodrën dhe doli tek ca kushërinj. E pyesin ç’kishte se e shohin si të shastisur dhe ky i thotë që vrau gruan dhe i kërkoi lekë për një paketë cigare. Donte edhe cigare… Ah, sikur të më kishte dalë përpara. Kishim folur me të edhe herë të tjera. Ai ishte xheloz, thonte gruaja po ma dredh. Unë i thashë që nëse je burrë dhe ke ndonjë dyshim, shko zbuloje, ndryshe mirë ta bën si ajo si ai”, shtoi dëshmitari i ngjarjes së rëndë.
Një tjetër kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar! Askush nuk flet sot në Bërxull, ashtu siç Arjana Serjani nuk foli për shume vite për problemet me të shoqin!
Top Channel