Barcelona e Pep Guardiolës fitoi duelin e golave në “San Siro”, pasi mundi 2-3 Milanin, duke mbajtur dhe vendin e parë në klasifikimin e grupit H.
Loja me pasime të shpejta e Barcelonës e shtyu Van Bommel të dërgojë gabimisht topin në portën e tij në minutën e 14-të. Por reagimi ishte shumë i shpejtë, 5 minuta më vonë Ibrahimovic pati fatin dhe kënaqësinë t’i shënojë ish-skuadrës së tij dhe armikut të betuar Pep Guardiola.
Gjyqtari i ndeshjes Stark akordoi një 11-metërsh të dyshimtë për Barcën. Lionel Messi theu tabutë duke i shënuar për herë të parë një skuadre italiane.
Në fillimin e pjesës së dytë Boateng barazoi shifrat me një supergol, ndërkohë që pak pas tij Xavi vulosi fitoren e katalanasve të cilët kalojnë në turin tjetër si të parët e grupit H.
Është bërë më interesante situata në grupin E, pasi 3 ekipet Valencia, Leverkusen dhe Chelsea kanë shanse për kualifikim dhe vetëm ndeshjet e fundit do të vendosin 2-shen që do të vazhdojë më tej.
Edhe pse kaluan të parët në avantazh me Drogban, londinezët janë mundur në të dytën. Gjermanët e Lerverkusen shënuan dy herë me Derdiyok dhe Fridrish duke marrë dhe kreun e grupit. Nga ana tjetër Valencia ka shkatërruar 7-0 Genkun, duke regjistruar fitoren më të thellë të mbrëmjes. Në sfidën e fundit spanjollët do të luajnë në “Stamford Bridge” përballë Chelsea-t.
U kualifikua Arsenali, skuadra tjetër londineze në këtë kompeticion. Ekipi i Venger mundi 2-1 Dortmundin falë dopietës së Van Persie.
Marseja nuk e ka përdoruar sic duhet faktorin fushë pasi u mund 0-1 nga Olimpiakos, që me këtë fitore i ka rritur shanset për kualifikim.
Surpriza e mbrëmjes është Apoel Nicosia e cila barazoi pa gola me Zenit, duke u bërë skuadra e parë qipriote që kualifikohet në raundin tjetër të Champions.
Top Channel