
Kriza ekonomike dhe ndikimi mbi Shqipërinë, ishte pika në të cilën u
ndal, ne mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryetari Edi Rama.
Duke e vënë theksin te paaftësia dhe korrupsioni i qeverisë,
kryesocialisti e cilësoi situatën si mjaft kritike cka, sipas tij, është
paralajmëruar dy vite më parë nga selia rozë.
Niveli i lartë i borxhit e ka pozicionuar vendin në buzë të humnerës, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen emergjente, në të kundërt, tha Rama, Shqipëria rrezikon të precipitojë në një situatë të paparashikueshme.
“Është skandaloze që qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike krejt utopike me qëllimin e vetëm që të vazhdojë lojën e rrezikshme të thellimit të borxhit. Logjika e kësaj qasjeje është “pas nesh u bëftë qameti”. Dhe ne grupi parlamentar i opozitës në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë”, tha Rama.
Kryesocialisti tha se kjo krizë nuk duhet të bjerë mbi shqiptarët e thjeshtë, ndaj sipas tij, realizimi i projektit për heqjen e TVSH-së mbi disa prej ushqimeve bazë, ilaceve, por edhe uljen e asaj të energjisë është tashmë një detyrim i pashmangshëm.
“Ne duhet ta kërkojmë me ngulm vënien në jetë të tij një orë e më parë dhe duhet të këmbëngulim që zëri i arsyes në hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm të dëgjohet sa më shumë, pikërisht, në funksion të familjeve të zakonshme shqiptare”, theksoi Rama.
Në mbledhjen e grupit socialistët kanë kundërshtuar edhe projektin e qeverisë për të privatizuar katër hidrocentrale Ulzën, Shkopetin, Bistricën 1 dhe Bistricën 2.
“Por edhe në këtë rast pasuria kombëtare trajtohet si një plaçkë për t’u shitur badjava që oborri i pushtetit të vazhdojë të rrijë në këmbë ndërkohë që burimet financiare të shtetit po shterojnë dhe borxhi po e vë përfund qeverinë megjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Në përfundim zoti Rama dha edhe qëndrimin e socialistëve, përsa i përket kandidaturës së dekretuar nga presidenti për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas Ramës, Bujar Leskaj nuk përmbush kriteret që kërkon ky post dhe për më tepër sipas tij është figurë politike e njëanshme. Thënë këtë PS konfiormoi votën kundër në parlament për zotin Leskaj.
Top Channel