E pyetur nëse është në dijeni të deklaratave që vijnë nga serbët e veriut të Kosovës për shpallje të pavarësisë , Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri në BE, Kethrin Ashton, përsëriti qëndrimin e njohur të Bashkimit Europian.

“Unë besoj se qëndrimi ynë, apo qëndrimi i Bashkimit Europian, është shumë i qartë. Ne besojmë, sidomos në rastin e vecantë të Serbisë dhe Kosovës, se cështjet që janë aktualisht mbi tavolinë duhet të diskutohen nëpërmjet dialogut. Dhe shumë thjesht, ne e kemi bërë tepër të qartë qëndrimin tonë për kufinjtë: ne nuk duam të shohim më asnjë ndryshim kufinjsh në Ballkan”, deklaroi zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic.

Në raundin e 7-të bisedimeve mes palëve, përvec marrëveshjes mbi njohjen e diplomave universitare në takimin e një nate më parë, palët dështuan të mërkurën që të arrijnë ndonjë zgjidhje mbi situatën e bllokuar në veri. Megjithë cilësimin si një ‘rinisje pozitive’ e dialogut, ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper, shpjegon detaje të vështirësive të ndeshura.

“Liria e lëvizjes është një cështje e vështirë dhe e komplikuar. Janë të shumta problemet që jemi përpjekur të zgjidhim, si përshembull, dokumentet që duhen përdorur në pikat e kalimit kufitar; targat janë cështje e komplikuar; një cështje vecanërisht e vështirë është ajo e sigurimit, ku nuk jemi të këenaqur me zgjidhjet e deritanishme”, tha ndërmjetësuesi i BE, për dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper.

Ndërsa pëer palën kosovare, Beogradi  duhet ndëshkuar për moszbatim të marrëveshjeve, për serbët, dialogu rezultoi mjaft pozitiv.

“Theksi për palën tonë, pra për qeverinë e Republikës së Kosovës, ishte në problemet e zbatimit të marrëveshjeve dhe në dështimet e Serbisë për t’i përmbushur obligimet. Edhe sot, mund të konstatoj se sado që ka patur disa përparime të vogla, në planin e implementimit të 4 marrvëshjeve të arritura, Serbia vazhdon të dështojë në përmbushjen e detyrimeve. Unë shpresoj që këtë do t’a marrë parasysh Komisioni Europian dhe institucionet e tjera të rëndësishme të BE-së”, theksoi zëvendës-Kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.

“Ne patëm, në përgjithësi, një raund shumë pozitiv me Prishtinën. Është pozitive sepse arritëm të mbyllim një cështje konkrete dhe të rëndësishme, e cila ndikon tek njerëzit e thjeshtë dhe tek studentët e të dyja entiteteve tona, dhe ajo është cështja e njohjes së diplomave universitare, për zgjidhjen e së cilës ne jemi me të vërtetë shumë të kënaqur”, u shpreh Drejtori Politik në MPJ serbe, Borko Stefanoviç.

Vetëm me pjesëmarrjen e tyre në “dialog” dhe arritjen e vlerësimeve pozitive, Beogradi synon marrjen e statusit kandidat në BE, pa lëshuar pe në terren, në veriun e bllokuar të Kosovës.

Raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd pritet të mbahet përpara fundit të muajit nëntor.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel