Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar se bisedimet teknike me Prishtinën nuk do të sjellin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë një politikë konstruktive, por në asnjë kusht nuk do të pranojmë pavarësinë e Kosovës, as në mënyrë eksplicite, as në mënyrë implicite”, ka deklaruar Tadic.
Sipas “REL”, këtë deklaratë Tadic e ka bërë gjatë një vizite në Banatski Dvor, prej nga ka theksuar se bisedimet mund ta vënë Serbinë në pozicion të vështirë, por në asnjë mënyrë nuk do ta cojnë atë drejt njohjes së Kosovës.
“Serbia do të vazhdojë me nismat e saj për Kosovën, pasi ajo është burimi kryesor i destabilitetit për Serbinë, Rajonin dhe Evropën”, ka pohuar Tadic.
Ai ka shtuar më tej se mbrojtja e serbëve të Kosovës është prioritet i qeverisë së tij dhe ka falenderuar Rusinë për mbështetjen në ruajtjen e sovranitetit të Serbisë.
Deklarata e presidentit serb vjen disa ditë pasi Partia Radikale Serbe kërkoi nga prokuroria ndjekje penale ndaj tij dhe një sërë zyrtarëve të tjerë. Kjo, pasi sipas radikalëve, Tadic dhe vartësit e tij po e cojnë vendin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Nga ana e tij, Tadic e konsideron Kosovën një cështje të madhe për mbarë botën, zgjidhja e të cilës sipas tij është shumë e vështirë.
Ndërsa analistët e cështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se politika e Beogradit zyrtar po vazhdon të jetë e dyanshme, në njërin drejtim me përpjekje për të mos prishur raportet me Brukselin dhe në drejtimin tjetër me qëllimin ta mbajë nën tension situatën në veri të Kosovës.
Top Channel