Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë nënshkruar të hënën një memorandum mirëkuptimi, që parashikon vijimin e ndihmës së qeverisë amerikane për forcimin e institucioneve të Kosovës.

Marrëveshja në fjalë, sipas raportimeve të “REL”, u nënshkrua nga presidentja kosovare Atifete Jahjaga dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

Sipas burimit, memorandumi nënkupton ndihmën e SHBA për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për mirëmenaxhimin e kapaciteteve teknike të administratës tatimore, përforcimin e partneritetit publik-privat për të financuar infrastrukturën publike, etj.

Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar memorandimin si shenjë të miqësisë “së përjetshme” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, e cila sipas saj garanton paqen në rajon.

“Ky është shembulli i një partneriteti të mirëfilltë, që bazohet ne vlerat e demokracisë amerikane që respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që sigurojnë një zhvillim të proceseve demokratike me pushtete të ndara, me kontroll parlamentar të qeverisjes, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit”, ka deklaruar Jahjaga.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ambasadori Dell, i cili ka vlerësuar se memorandumi është një hap më shumë në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes SHBA dhe Kosovës.

“REL” njofton më tej se objektivat e parashikuara në marrëveshje do të arrihen përmes mbështetjes që Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, do t’u japë institucioneve të Kosovës.

Top Channel