Prishtina zyrtare reagon ndaj mundësisë së shpalljes së autonomisë nga përfaqësuesit serb të veriut të Kosovës.

Plani për shpalljen e autonomisë nga serbët lokalë u hap pikërisht në kohën kur Beogradi nën presionin e Brukselit është duke u përpjekur të bindë serbët e Veriut të pranojnë zgjidhjet që do të ishin të pranueshme edhe për Beogradin.
 
“Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, zbatimi i plot i ligjeve, zbatimi i axhendës europiane, janë disa nga sfidat që ne ballafaqohemi çdo ditë dhe kërkojmë përkushtim dhe angazhim të përbashkët të gjithëve.  Zbatimi i ligjeve, luftimi i dukurive negative, si krimi i organizuar, korrupsioni mbeten plagë të rënda për shoqërinë dhe shtetin tonë, andaj iu inkurajojmë që të gjithë së bashku të përkushtohemi maksimalisht për luftimin e këtyre dukurive”, thotë kryeministri Thaçi.

Ndërsa shefi i Misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac thotë se, Eulx është i përkushtuar që në bashkëpunim me të gjitha autoritetet të ndikojnë në përmirësimin e mëtutjeshëm gjendjes në veri.

“Derisa vëmendja e ndërkombëtarëve dhe e publikut është e përqendruar në veri, e di se kemi shumë përpjekje për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës. Mbledhja e JRCP na lejon t’i bëjmë prioritet, disa iniciativa për vitin e ardhshëm. Qëllimi kryesor sot është t’i trajtojmë prioritetet. Fokusi i veçantë do të jetë në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, trafikimi i drogës, reformimi i sistemit gjyqësor dhe mbrojtja e shoqërisë përmes inspektimit më të mirë të ushqimit dhe mallrave”, thotë Xavier Bout de Marnhac, kreu i EULEX-it.

Teksa gjatë ditës së hënë veriun e ka vizituar edhe ambasadori amerikan Kris Dell,  rreth zhvillimeve atje kanë reaguar deputet opozitarë të komisionit parlamentarë për punë të brendshme dhe siguri.

“Nuk besoj që ka ditë që Veriu nuk është temë, sepse angazhimet tona janë që në veri të ketë instalim të institucioneve të Kosovës dhe zbatim të rendit dhe ligjit atje”, deklaron deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk po bën punën e duhur karshi komisionit, pra nuk po i raporton komisionit lidhur me gjendjen”, thotë Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Situata e sigurisë në Mitrovicë gjatë 10 ditëve të fundit është vlerësuar relativisht e qetë. Megjithatë zyrtarë mitrovicas kanë bërë të ditur se në lagjet me popullatë të përzier ka pasur të shtëna me armë zjarri të cilat vazhdimisht po shqetësojnë qytetarët.

Top Channel