Partitë e mëdha në Kosovë duket se do të përshtasin modelin shqiptar mbi presidentin, i cili me ndryshimet kushtetuese pritet të ketë shumë pak autoritet, raportoi e përditshmja “Koha Ditore” të dielën.

Ideja e një presidenti të fuqishëm si në rastin e Francës, propozuar nga kryetari i Komisionit për Amendimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, është hedhur poshtë nga partitë e mëdha, ndonëse diçka e tillë nuk konfirmohet ende zyrtarisht.

PDK, LDK, VV e AAK kanë shtruar nevojën që krahas prekjes së kushtetutës, në pjesën që i referohet mënyrës së zgjedhjes së presidentit, të ndërhyhet edhe në nenin 84 ku përcaktohen kompetencat e tij, për të mos patur përplasje në detyrën midis presidentit dhe kryeministrit.

Xhavit Haliti, deputet i PDK-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ka shprehur vlerësimin se neni 84 i kushtetutës i jep kompetenca shumë të mëdha presidentit dhe ka shprehur mendimin që ato nuk duhen shtuar.

“Dhënia e kompetencave si në rastin e Francës unë mendoj që është shumë sepse ne kemi republikë parlamentare dhe në qoftë se duam të kthehemi në republikë presidenciale, atëherë do të duhej që të kishim kaluar edhe në hapa në të cilët kanë kaluar Franca dhe SHBA-ja”, tha Haliti.

Arben Gashi, deputet i LDK-së, theksoi se subjekti që përfaqëson dëshiron që të ndërhyhet në pjesën e kushtetutës ku përmenden kompetencat e kreut të shtetit, me synim që të krijohet qartësi.

“Ka një diskutim edhe në LDK që të përkrahet ndryshimi i kompetencave për presidentin, në kuptimin e heqjes së ndryshimeve mbi kompetencat e përgjegjësive kushtetuese që mund të përzihen ndërmjet kryeministrit dhe presidentit”, ka thënë Gashi.

Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të AAK-së shtoi se “kreu i shtetit nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive sepse rrezikohet të kemi “bllokadë të sistemit””. Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, që është edhe anëtar i komisionit për ndryshimin e kushtetutës, ka thënë se në këtë proces duhet prekur edhe kapituj tjerë, veçanërisht ato që ICO-së i japin kompetencën e autoritetet suprem në Kosovë apo që planit Ahtisaari i japin fuqi juridike mbikushtetuese

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA