Deklaratën e Ivanoviçit se serbët në veri të Kosovës mund ta shpallin pavarësinë, analistët e Beogradit e shohin si një manovër taktike, lajmëroi ditën e dielë “Telegrafi”.

Sipas tyre, kjo ide nuk mund të realizohet, sikur që nuk mund të realizohet edhe ideja që serbëve të Kosovës t’u ndahet nënshtetësia ruse.

Edhe pse nuk donte të tregonte se si do të dukej ajo pavarësi, Ivanoviç ka përsëritur se “kjo ide nuk është larg realitetit”.
“Në Kosovë ka shumë serbë që janë duke menduar në këtë drejtim. Unë tani nuk do të hyj në detaje, sidomos kur mendoj se ideja është e keqe. Me rëndësi është që bashkësia ndërkombëtare ta ndalë presionin mbi serbët e Kosovës, se në të kundërtën shpallja e pavarësisë së Kosovës veriore është çështje ditësh”, ka thënë i ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanoviç.

Analisti i mirënjohur serb, Dejan Vuk Stankoviç thotë se kjo ide është e pazakontë, sepse fillimisht nuk dihet se çfarë pavarësie do ta shpallin ata.

“Nga Serbia apo Kosova? Meqë serbët e Kosovës këmbëngulin se janë pjesë e Serbisë, atëherë kjo do të thotë shpallja e pavarësisë nga vetvetja. Në anën tjetër, nëse pavarësia shpallet nga Kosova, atëherë dalin se ata po e njohin Kosovën si shtet. Unë nuk besoj se dikush në Beograd është duke menduar në atë drejtim”, ka thënë Stankoviç, duke shtuar se ky veprim nuk është i matur.

Bashkëpunëtori i Institutit të Shkencave Sociale, Nenad Cveticanin, e cilëson si taktike e jo kërcënuese deklaratën e Ivanovicit.

“Deklaratën e dha në mënyrë të kujdesshme, duke mos insistuar në pavarësinë e veriut të Kosovës, por duke e vënë në dukje këtë mundësi. Ajo duhet të rrisë hapësirën manovruese të serbëve, që bashkësia ndërkombëtare të kuptojë se serbët e Kosovës nuk përjashtojnë mundësinë e tërheqjes së lëvizjeve radikale”, ka thënë ai.

Disa ditë më parë, në një deklaratë shumë të debatueshme për mediat, Lutfi Haziri, një deputet i LDK-së, hodhi propozimin që territoret serbe në veri të Kosovës t’i bashkangjiten Serbisë, me kusht që të rikthehen krahinat shqiptare të Preshës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, do të përbënte një rikthim në kufijtë e ndarjes territoriale të vitit 1956.

Top Channel