Qeveria maqedonase pritet të anulojë ditën e diel vendimin për bllokimin e importit të miellit nga Kosova, i marrë në muajin gusht për të favorizuar biznesin vendas.

Lajmin e bën të ditur “REL”, që citon ministrin maqedonas të Ekonomisë, Valon Saracini.

“Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, që do të mbahet të dielën, besoj se do të vendosim ndërprerjen e kësaj mase, me qëllim ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Kosovën”, ka deklaruar Saracini.

Njoftimi i ministrit maqedonas vjen pas paralajmërimeve të qeverisë kosovare për aplikimin e masave reciproke ndaj Maqedonisë nëse do të vazhdohet me këtë vendim.

Autoritetet dhe bizneset kosovare e kanë vlerësuar si të padrejtë këtë vendim të Shkupit zyrtar, i cili sipas tyre bie ndesh me marrëveshjen për tregtinë e lirë mes dy vendeve.

Gjithashtu, vlerësohet se zbatimi i kësaj mase u ka shkaktuar bizneseve kosovare humbje që arrijnë në 1 milion euro.

Ndërsa për Maqedoninë, Kosova është një treg tepër i rëndësishëm, pasi nga qarkullimi i mallrave të saj arrihen fitime deri në 400 milionë euro në vit.

Top Channel