
Trajneri i Tiranës, Julian Rubio, ka zgjeruar hartën e pretendentëve për titullin kampion në këtë sezon të Kategorisë Superiore.
Tekniku spanjoll ka deklaruar se përveç skuadrës së tij, Skënderbeut e Flamurtarit, kandidate serioze janë edhe Teuta, Kastrioti e Laçi.
“Teuta e tregoi që prej ndeshjes së parë të kampionatit (ku fitoi pikërisht përballë bardhebluve) se është një pretendente për titull, ashtu si Tirana, Flamurtari e Skënderbeu. Gjithashtu në garë janë edhe Kastrioti e Laçi, të cilat janë dy skuadra mjaft cilësore”, deklaroi drejtuesi i stolit të 24 herë kampionëve për gazetën ‘Shqip’.
Në sfidën e javës së 9, Tirana do të luajë me Tomorin. Edhe pse kundërshtarët ndodhen në vendin e parafundit në renditje, ndërsa kryeqytetasit synojnë t’i rrëmbejnë kreun Teutës, Rubio kërkon përqendrim maksimal.
“Tomori është një kurth, sepse rrezikojmë të paraqitemi në këtë përballje me vetëbesimin se mund të fitojmë lehtësisht, duke parë pozicionimin e kësaj skuadre në vendin e parafundit të klasifikimit”, nënvizoi trajneri.
“Personalisht e kam paralajmëruar skuadrën se një sjellje e tillë do të ishte shumë e rrezikshme, pasi nënvlerësimi mund të na kthehet në bumerang”, shtoi Rubio.
Për sa i takon situatës në skuadër, tekniku spanjoll theksoi se bardheblutë vazhdojnë të vuajnë disa probleme të vogla: “Akoma kemi disa gjëra për të zgjidhur, por bëhet fjalë për probleme të vogla dhe jo diçka shqetësuese. Siç u pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, disa lojtarë nuk janë në formën e mirë.”
Top Channel