Ka nisur një procedim penal ndaj edukatores së kopshtit në fshatin Leshnicë të Pogradecit, Edlira Kapo.
Hetimi i edukatores vjen pas helmimit dje me bar miu të tre fëmijëve. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të policisë.
Mësohet se motër e vëlla dhe një vajzë tjetër e kanë gjetur barin helmues në mjediset e kopshtit në fshatin Leshnicë.
Edukatorja e grupit të vogël të kopshtit, duke konstatuar se te të tre fëmijët janë shfaqur shqetësime shëndetësore në kohën e drekës, ka sinjalizuar për këtë rast edhe institucionet shëndetësore të rrethit të Pogradecit.
Të tre fëmijët janë dërguar me urgjencë në spitalin civil të qytetit, ku pas trajtimit intensiv, që përfshiu edhe lavazhin e stomakut, vogëlushët nuk kanë paraqitur rrezik për jetën. Pasi ka kaluar rreziku për jetën për tre fëmijët e kopshtit në Leshnicë, policia lokale ka filluar hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Policia tha se të tre fëmijët e helmuar janë nga fshati Leshnicë dhe dy prej tyre janë motër e vëlla.
Policia bëri të ditur fillimisht se ata mund të jenë helmuar duke përdorur aksidentalisht bar miu, një sasi e të cilit gjendej në ambientet e brendshme të kopshtit dhe që përdorej për të luftuar brejtësit.
Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se në kopshtin e këtij fshati fëmijët nuk trajtohen me drekë, por ndërkaq thuhet se vogëlushët që janë helmuar kanë qenë në kuzhinën e kopshtit, kur kanë shfaqur shenjat e përkeqësimit të shëndetit.
Nga hetimet e para të policisë ka rezultuar se punonjësja e kopshtit nuk ka përjashtuar mundësinë që tre fëmijët e mitur të moshave 3 dhe 4 vjeç të kenë rrezikuar jetën duke gëlltitur helmin që mbahej në ambientet e kopshtit për të luftuar minjtë, të cilët ishin bërë shqetësim serioz për institucionin e arsimit parashkollor.
Edukatorja e këtij kopshti është shfajësuar me faktin se nuk i ka parë tre fëmijët kur kanë konsumuar substancën helmuese, pasi ka qenë e pamundur të kishte nën vëzhgim të pandërprerë të gjithë fëmijët. Edukatorja i ka thënë policisë se mund të ketë qenë një moment i mungesës së vëmendjes kur tre fëmijët kanë marrë ilaçin që përdorej për brejtësit dhe e kanë ngrënë, duke rrezikuar jetën e tyre.
Edhe në spitalin e Pogradecit, ku janë shtruar tre fëmijët e mitur, dyshohet se ata janë helmuar dhe mendohet se nuk ka qenë helmim ushqimi, por përdorim i helmeve të forta, siç është fostoksina.
Rasti i helmimit të tre fëmijëve, që për fat të mirë janë jashtë rrezikut për jetën, ngre një shqetësim të madh për gjendjen në të cilën ndodhen institucionet publike të arsimit shkollor dhe parashkollor. Në rastin më të mirë, një edukatore në kopshtet dhe çerdhet publike të Shqipërisë duhet të kujdeset për tetë orë me radhë për 10 fëmijë.
Top Channel