Ambasadori francez në Prishtinë, Jean Francois Fitou, tha se bisedimet Kosovë-Serbi u japin mundësi të dyja vendeve që të afrohen me strukturat e Bashkimit Evropian.

Komentet e tij u bënë gjatë një debati mbi bisedimet që pritet të vazhdojnë të hënën më 21 nëntor, disa muaj pas ndërprerjes së tyre.

“Procesi i bisedimeve është një proces i mirë evropian, që do të fusë në rrugën e integrimeve Kosovën dhe Serbinë. Gjithashtu, ky proces do të hapë rrugën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani”, citohet Fitou nga VOA.

Bisedimet dypalëshe Kosovë-Serbi pritet të rifillojnë ditën e hënë, me trajtimin e cështjes së menaxhimit të integruar të kufijve.

Sinjalet pozitive për ringjalljen e procesit u dhanë gjatë javës nga negociatori serb, Borko Stefanovic, si dhe nga negociatorja kosovare Edita Tahiri, në një prononcim për gazetën “Epoka e Re”.

Bisedimet Prishtinë-Beograd u ndërprenë për shkak të krizës që shpërtheu në veri, pas nisjes së operacionit për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në zonat me shumicë serbe.

Qeveria kosovare deklaroi të mërkurën se nënshkrimi i marrëveshjes për kufijtë do të jetë e para që do të nënshkruhet, ndërkohë që pritet firmosja edhe e pakteve të tjera, të arritura por të pazbatuara.

Ndërkohë që shumica e partive politike në Serbi janë shprehur kundër bisedimeve dhe kanë kritikuar ashpër marrëveshjet e arritura me Kosovën, pasi sipas tyre ato janë kundër interesave të Serbisë.

Top Channel